SYRI TV/ 'Guacka' e Durrësit merr detin për 35 vjet, kompania investuese përjashtohet nga taksat

Qeveria 'Rama' vijon të çojë përpara investimin e shumëdebatuar të Portit të Durrësit, duke i dhënë asete publike, kompanisë-guackë.  Kjo kompani do të shfrytëzojë detin për 35 vjet, ndërsa do të përjashtohet nga të gjitha taksat. Në këmbim qeveria ka arritur marrëveshjen për të zotëruar 33% të aksioneve në projektin “Durrës Jaht Marina”

SYRI TV

Kompania-guackë që ka marrë statusin e Investitorit Strategjik për Portin e Jahteve në Durrës, do të përfitojë edhe të drejtën për shfrytëzimin e detit para strukturës turistike për 35 vjet, pra 15 vjet më shumë se sa parashikohet për ndërtimin e projektit. Po ashtu, kompania “Eagle Hills Real Estate Development” do të përjashtohet nga të gjitha taksat në infrastrukturë dhe për kontributin social.

Këto dhurata të qeverisë shqiptare pasojnë dorëzimin e mbi 812 mijë hektarëve tokë në Portin e Durrësit dhe territorin përreth. Në këmbim të këtyre dhuratave, qeveria ka arritur dakordësinë me kompaninë investitore që të zotërojë 33 përqind të aksioneve, në atë që e konsideron si “një klasë e veçantë në investitorin strategjik”.

Këto të dhëna gjenden Vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike, të miratuar në 27 tetor 2022 me titull “Pranimin e pjesëmarrjes së shtetit në investimin strategjik “Durrës Jaht Marina”.

Komiteti i Investimeve Strategjike, nën drejtimin e Edi Ramës, është kujdesur që t’i japë një siguri jetëgjatë investimit të shumëdebatuar. Në një nga pikat e vendimit parashikohet se duhen përcaktuar mekanizma të qartë, për të shmangur mosmarrëveshjet që mund të lindin gjatë realizimit jetëgjatë të investimit.

Marrëveshja e negociuar mes përfaqësuesve të qeverisë së Ramës dhe kompanisë- investitor strategjik, do t’i kalohet parlamentit për miratim, pasi institucionet e përfshira të plotësojnë të gjithë dokumentet e nevojshme.

Vendimi i Edi Ramës për të shndërruar Portin e Durrës në një marinë jahtesh dhe komplekse rezidenciale ka shkaktuar reagime të shumta nga opozita dhe ekspertë të fushave të ndryshme.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe drejtuesi i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kanë bërë thirrje shpesh që të braktiset ky projekt, që mund të përbëjë një skemë gjigande pastrimi parash.

Kompania-investitor strategjik, “Eagle Hills Real Estate Development”, zotërohet në 40 përqind nga biznesmeni saudit Mohamed El Alabar. Por, ndërkohë, nuk ka asnjë të dhënë për aksionerët që zotërojnë shumicën vendimmarrëse të saj. Investitori Strategjik ishte regjistruar fillimisht në ishujt Kajman, që njihet edhe si zonë off-shore, ku aksionerët e vërtetë qëndrojnë gjithnjë diskret.