Berisha: Shkaku themelor i largimit masiv të shqiptarëve është votimi fiktiv njëlloj si në diktaturë

Në komunikimin e tij me qytetarët në rrjetin social, Facebook, kryetari demokrat, Sali Berisha, përsëriti faktin se shqiptarët po largohen masivisht nga vendi për shkak se nuk janë në gjendje të votojnë.

“Në Shqipëri, problematikat shtohen çdo ditë, varfërimit dhe mjerimit të shqiptarëve u shtohet cinizmi i këtyre qeveritarëve me në krye Edi Ramën, i cili në këto momente kur jemi kthyer në kombin e gomoneve, është kryeministri më i kushtueshëm në botë. Shpenzon 22 milionë euro për 137 fluturime me çarter dhe si skuth si përgjigje ndaj këtij akti ka vetëm mashtrimin.

Ai u deklaron shqiptarëve se udhëtimi i tij me çarter kushton sa gjysma e një bilete avioni me biznes-klas. Ai ka paturpësinë t’u thotë shqiptarëve çdo gjë dhe të bëjë me ta, çdo gjë. Një fjalë e mençur thotë se kur nuk ke turp, thua dhe bën gjithçka. Në fakt sot kjo ndodh me Edi Ramën dhe qeveritarët e tij.

Edi Rama është një armik i egër i lirive të shqiptarëve. Ai e ka shndërruar sistemin e votimit në një sistem fiktiv njëlloj si në diktatura. Ky është shkaku kryesor dhe më themelor pse shqiptarët mbushin gomonet në aventurën e tmerrshme në kanalin e La Manshit.

Shqiptarët janë rrokullisur sot të fundit për pagesat, për rrogat, për pensionet, për ndihmën ekonomike,” tha Berisha.