PL: Të rishikohet Buxheti i 2023 për bujqësinë, masa për hapjen e eksportit të kafshëve dhe mishit

Partia e Lirisë ka ngritur sërish shqetësimin rreth projekt-buxhetit për bujqësinë për vitin 2023, që e ka cilësuar si  lëmoshë dhe shpërfillje për këtë sektor të rëndësishëm të vendit

Në një deklaratë për mediat, ish- zëvendësministri i Bujqësisë, Roni Telegrafi tha se financimi nga buxheti i shtetit për këtë sektor “vazhdon të mbetet në nivelin e një lëmoshe shpërfillëse me rreth 25 milionë euro, ndërkohë që Maqedonia e Veriut shpenzon 150 milionë dhe Kosova 90 milionë”.

Partia e Lirisë ka ngritur sot shqetësimin e madh  për vendin që i është lënë bujqësisë në Projekt-Buxhetin për vitin 2023.

Z. Roni Telegrafi, anëtar i Komitetit Drejtues  të PL,  theksoi sot në një deklaratë se “ndërkohë që bujqësia përbën 28% të GDP dhe punëson 33% të popullatës, financimi nga Buxheti i Shtetit për këtë sektor fatkeqësisht vazhdon të mbetet në nivelin e një lëmoshe shpërfillëse me rreth 25 milionë euro, ndërkohë që Maqedonia e Veriut shpenzon 150 milionë dhe Kosova 90 milionë

Si pasojë e financimit të mangët, bujqësia shqiptare do të vazhdojë të jetë jokonkurruese në tregjet rajonale dhe ato ndërkombëtare.

Kjo,  në mënyrë kategorike do të sjellë përkeqësimin e mëtejshëm të defiçitit tregtar, rrudhjen e investimeve, rënien e prodhimit vendor dhe shpopullimin e komuniteteve rurale.

Për këtë arsye ne kërkojmë rishikimin e buxhetit për bujqësinë, dhe veçanërisht financimin e masave administrative që mundësojnë hapjen e eksporteve të kafshëve të gjalla dhe produkteve të mishit.

Është e pafalshme që për blegtorin shqiptar tregjet e pasura të BE vazhdojnë të mbeten të mbyllura ndërkohë që blegtorët e Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës prej vitesh eksportojnë lirshëm në vendet Europiane.

Mungesa e mundësisë së eksportit ka futur blegtorinë shqiptare drejt një kolapsi të frikshëm. Ku dita ditës prodhimi vendore po zëvendësohet fuqishëm me atë të importit.

Shifrat e rënies së numrit të gjedhit duhet të shërbejnë si një kambanë alarmi për qeverinë. Rikujtojmë se në vitin 2017 numri i gjetheve ishte 475 mijë ndërkohë që në vitin 2021 ky numër ka shkuar në 330 mijë.

Me këtë ritëm rënie Shqipëria në 10 vjet mbetet pa asnjë gjedh.

Realiteti në terren dhe në shifra është alarmant. Dhe ky realitet nuk mund të tjetërsohet dot as me takime të stisura propagandistike as me shantazhe ndaj mediave të cilat e pasqyrojnë atë.

Që ky realitet të ndryshojë nevojitet që buxheti i lëmoshës dhe shpërfilljes të marrë fund për bujqësinë shqiptare.”