Punëtorët në aeroportin Heathrow grevë tre-ditore përpara Kupës së Botës

Qindra punëtorë në aeroportin Heathrow të Londrës planifikojnë të bëjnë grevë për paga më të larta duke filluar nga 18 nëntori dhe do të zgjasin tre ditë, pak para Kupës së Botës në Katar, e cila fillon më 20 nëntor, tha sindikata britanike.

Sindikata deklaroi se në protestë do të jenë rreth 700 punëtorë, raporton Reuters.

“Greva do të çojë në mënyrë të pashmangshme në ndërprerje, anulime dhe vonesa të fluturimeve në terminalet 2, 3 dhe 4 dhe do të prekë veçanërisht ata që udhëtojnë për në Kupën e Botës në Katar”, tha Kevin Hall, përfaqësuesi rajonal i sindikatës.

Qatar Airways, Virgin, Singapore Airlines, Cathay-Pacific dhe Emirates do të jenë në shënjestër.

Përfaqësuesit e kompanive që punësojnë punëtorë në aeroportin Heathrow besojnë se rritja e pagave e kërkuar nga sindikata është një kërkesë e papërgjegjshme dhe do të kërcënojë biznesin në të ardhmen.