‘Zjarre të qëllimshme’: Luftë me flakët që përhapen nga era në Bredhin e Drenovës

Vazhdojnë të jenë aktive prej dy ditësh, vatrat e zjarreve në zonën e mbrojtur të Bredhit të Drenovës në afërsi të Gurit të Cjapit në Korçë, njoftoi gazetarja e SYRI TV, Sidorela Xhomaqi.

Terreni i thyer malor e bën të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse ndaj edhe për këtë prej shumë orësh forca të shërbimit zjarrfikës, të shërbimit pyjor dhe punonjës të ndërmarrjes së shërbimeve të bashkisë Korçë janë duke punuar në terren për izolimin e flakëve, por era e fortë nuk i favorizon punonjësit duke e bërë të vështirë izolimin e vatrave.

Nga ana tjetër vatrat e zjarrit në pikën turistike të Moravës janë shuar plotësisht që në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Burime bëjnë me dije, se punonjësit e bashkisë janë duke mbajtur nën kontroll edhe vatrat e zjarreve edhe në pyjet e fshatit turistik të Dardhës.

Në terren janë të angazhuara edhe forcat e ushtrisë, kryesisht në zonën e mbrojtur të Bredhit të Drenovës, atje ku situate paraqitet më e vështirë. Në të dy rastet e zjarreve policia ka filluar hetimet, pasi ka dyshime se zjarret kanë qenë të qëllimshme.