Vrasja e Arjan Spahiut/ Belgjika: Arrestuam një të dyshuar në Dubai

Dy ditë më parë, një media belge ka bërë me dije se në Dubai është prangosur për llogari të tyre një person që akuzohet për vrasjen e shqiptarit, Ardit (Arjan) Spahiu.

Media tregon detaje nga momenti i vrasjes, si dhe si u bë e mundur që të identifikohej personi që u kthye, pasi e vranë shqiptarin dhe e qëlloi sërish me 7 plumba. Ata e nisën kërkimin e vrasësve duke u bazuar në përplasjet e grupeve rivale të shqiptarëve për tregtinë e drogës pasi, sipas tyre, kishte humbur një sasi kokaine.

Ngjarja që ka ndodhur në vitin 2020, pra gati dy vite më parë, sipas belgëve të hetimit, kishte të bënte me shkaqe dhe autorë shqiptarë.

Për këtë fakt, ekspertë të hetimit mbërritën në vendin tonë dy herë për të hedhur dritë mbi një sërë rrethanash në të cilën ndodheshin bandat rivale, që sipas tyre iu përkasin qytetit të Elbasanit, e për pasojë hetimet i kanë çuar deri në Dubai, që momentalisht është kthyer në një vend të sigurt të të shumëkërkuarve të drejtësisë së disa prej shteteve më të fuqishme të Europës. Po ashtu, në Dubai qëndrojnë edhe të kërkuar të drejtësisë sonë, me të cilët ende nuk është bërë e mundur vendosja e një marrëveshjeje ekstradimi për të bërë të mundur sjelljen e tyre para drejtësisë sonë për ngjarjet që akuzohen.

SHKRIMI NË MEDIAN BELGE

“Ardit Spahiu, 38 vjeç, u qëllua në Condorlaan në Molenbeek më 27 nëntor 2020 kur doli jashtë një kafeneje.

Autorët, ishin tre, u larguan, por njëri prej tyre u kthye dhe qëlloi shtatë plumba të tjerë në drejtim të Spahiut që ishte i vdekur. Çështja u lidh shpejt me një grindje shqiptare mes dy klaneve të drogës. Vjedhja e shumë kilogramëve kokainë do të ishte shkaku i kësaj ngjarjeje të rëndë. Gjatë hetimeve u mësua se në fakt autorët e vrasjes kërkonin që të vritej e gjithë familja e Spahiut.

Kështu, tashmë autori i dyshuar është arrestuar në Dubai. Vendi ynë kërkon ekstradimin e tij. Nëse ai ekstradohet, i akuzuari do të ishte një nga të dyshuarit e parë që do të sillet në vendin tonë që nga marrëveshja e ekstradimit me Emiratet e Bashkuara Arabe. Viktima Spahiu ndodhej ilegalisht në vendin tonë.

Ai i përkiste një familjeje nga qyteti shqiptar i Elbasanit, nga e cila disa të rinj u shpërngulën në perëndim dhe përfunduan në botën e drogës. Vetë Spahiu ishte i dyshuar në vitin 2010 për vrasjen e një 52-vjeçari nga një klan rival. Edhe kunati i Spahiut mësohet se ka kryer dy vrasje dhe tani ndodhet në burg. Siç u tha më herët, autori është me të vërtetë një anëtar i klanit rival. Nuk dihet se kur do të ekstradohet i dyshuari”.

I DYSHUARI

Emri i Arjan Spahiut u mësua konkretisht gjatë atij viti kur edhe u ekzekutua në Belgjikë. Pak muaj më herët, ai u dyshua si pjesëmarrës në dy ngjarje të tjera të rënda që tronditen Elbasanin, që kishin zanafillën në vitin 2018, vit në të cilin kishte ndodhur një masakër në Bradashesh me tre viktima.

Në atë ngjarje që pasoi një përplasje gjakësore në Elbasan e më pas në Belgjikë, u vranë vëllai dhe xhaxhai i Erjon Alibejt, të riut që me Arjan Spahiun kishte lidhje miqësore.

Mirëpo, hetimet belge shkojnë edhe më herët duke futur në mes të grupeve rivale dhe të përgjakshme pikërisht përplasjet për trafikun e drogës dhe humbjen e një sasie lënde narkotike, humbje që me gjasë duhet të ketë ndodhur në Belgjikë. Sipas të dhënave, bëhet me dije se një person i arrestuar më herët në Dubai, për llogari të drejtësisë së një vendi të BE-së është lënë i lirë ditëve të fundit.

Belgët nuk kanë bërë me dije se kush është personi për të cilin kanë lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar si vrasës i Arjan Spahiut, i cili është një nga viktimat e shumta që erdhën nga përplasjet e grupeve të fuqishme të trafikut të kokainës.

E ndërsa në Belgjikë vijohet të kërkohen edhe dy personat e tjerë që kanë qenë pjesë e skuadrës së vrasësve të Spahiut, në vendin tonë, Prokuroria e Posaçme ka mundur të sigurojë katër dëshmi vrasësish, si të penduar, për përplasjet gjoksore mes grupeve të Elbasanit, përplasje që nuk kanë përjashtuar edhe vendet e tjera të BE-së, atje ku funksionin grupet kriminale.

Ndonëse i dyshuari i belgëve mësohet se është lënë i lirë me kusht në Dubai, në Tiranë janë dhënë detaje të mjaftueshme për të shkuar jo vetëm të shkaqet e ekzekutimit të Spahiut, por madje edhe të autorëve të dyshuar të asaj vrasjeje.

Megjithatë, SPAKu dhe asnjë autoritet hetimor joni ende nuk ka mundur të hetojë dhe zbulojë persona të tjerë të përfshirë në vrasjet e shumta të ndodhur në harkun kohor të 8 viteve mes një sërë grupesh, që sollën marrjen e jetës së disa personave./Panorama