Protesta e madhe e 12 nëntorit/ Berisha paralajmëron Ramën

Rreth një javë nga protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike kundër qeverisë, Sali Berisha nuk jep detaje mbi skenarin e tubimit të qytetarëve, por tha se do jetë në parimet e mosbindjes civile.

Sipas tij, opinioni publik ka një pakënaqësi të madhe ndaj të parit të qeverisë, të cilën mezi po e menaxhojnë deri në protestën e lajmëruar.

“Në fakt, ka një frymë urrejtjeje, revolte të papërmbajtur. Njerëzit me padurim po presin datën 12. Nuk e di, dilni ju nëpër rrugica dhe pyesni, merrni intervista, njerëzit thonë pse po vonohet kjo. Është një situatë inkandeshente, më mirë se kushdo tjetër e ndjen Edi Rama që shkon dhe struket në shtrofulla. Dhe kur e pyet gazetari, pse thotë Oso Kuka do bëhem unë? Se cili është skenari i protestës, do shpaloset gjatë protestës. Ne natyrisht, i qëndrojmë parimeve të protestave brenda spektrit të mosbindjes civile, që është e pranueshme në manualet e protestave demokratike”, tha Sali Berisha.

Dy ditë më parë, Gjykata Administrative e Apelit shtyu për në datën 10 nëntor shqyrtimin e ankimimit të grupimit të Alibeajt për bashkimin e shqyrtimit të ndryshimeve statutore të 18 dhjetorit 2021. Seanca gjyqësore u shty për shkak se mungonte përfaqësuesi ligjor i PD-së. Por për Berishën, këto janë makinacione të Kryeministrit Rama, i cili do të konfiskojë vulën dhe flamurin e Partisë Demokratike.

“PD-ja, gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar dhe gjysmës së parë të këtij viti, ka votuar më shumë se kurrë në historinë e saj dhe më shumë se çdo forcë politike, ndoshta të gjitha të marra së bashku. E ka bërë këtë sipas procedurave të Kushtetutës së saj ligjore dhe ka kompletuar një proces ligjor me votën e lirë të anëtarëve. Secilin proces kërkon ta minojë, ta shkelmojë në mënyrë antiligjore, antikushtetuese, antidemokratike, striktë armiqësore, Edi Rama. Përveç këtyre proceduarave, ka një vendim gjykate në të cilën gjykatësi ka vendosur mbi këtë realitet për Kuvendin, për logon, për vendimet e PD së. Pra, gjithçka është e paligjshme, antikushtetuese, antidemokratike, thellësisht armiqësore, është përpjekje e Edi Ramës për t’i konfiskuar flamurin Partisë Demokratike, flamurin e pluralizmit politik. Është makinacioni i Edi Ramës. Nuk kemi ne asnjë njeri tjetër në fokus, përveç Edi Ramës. Demokratët e kanë të qartë. Ai është njeriu që kërkon të konfiskojë flamurin e demokratëve. Ata, në kohën e duhur, do marrin udhëzimet përkatëse dhe do qëndrojnë sipas udhëzimeve”, tha Berisha.

Ndërkohë, teksa e akuzoi se është armik i pluralizmit, ish- Kryeministri pati një paralajmërim për kreun e qeverisë.

“Edi Rama është armik i ashpër i pluralizmit, është kopje identike e Spiro Kolekës, dajës së tij, i cili në datën 11 dhjetor kërkonte t’i fuste tanket dhe mitralozat pluralizmit politik. Kjo është e vërtetë, është me zë dhe figurë. Edi Rama tani atë që se bëri dot daja i tij, mendon ta bëjë tani. Por, Edi Ramës i kujtoj se ka pasur edhe 20 shkurt dhe mos e provoko popullin demokrat. Të sigurt, fitorja është, duket fitorja. Unë shoh tisin e saj. Besoj e ndoqët debatin mbrëmë. Krahasoni atë tjetrin me këta të tre që u paraqitën. Si të krahasosh natën me ditën. Kështu që fitorja është e madhe shumë”, u shpreh Berisha.