A është kjo intervistë kryeministrore? Pse po ikin shqiptarët?

I. Sot m’u dha rasti të shoh intervistën e Edi Ramës dhënë programit "Newsnight" të gjigantit mediatik BBC! Dua t’ju kujtoj lexuesve të mi në Shqipëri se NEWSNIGHT është nga programet më serioze të BBC, por edhe më gjerë!

Ndjeva keqardhje që kryeministri i vendit tim të origjinës i paraqitet publikut këtu në pamje gjestikulaturë dhe gjuhë që nuk i shkon aspak një shtetari serioz! Nga vendi ku është dhënë (dukej si bunker i ndriçuar) veshja e tij dhe gjuha i ngjanin më shumë një krye-gangsteri se sa një kryeministri që duhet të demonstrojë seriozitet në çdo paraqitje publike!

Arrogant, që i shmangej pyetjeve dhe nuk jepte shpjegim pse shtetasit e vendit të tij ikin sikur në atë vend të ketë rënë bomba atomike dhe jo të jetë vend aspirant për në Bashkimin Europian! Mjerim dhe keqardhje si e lejojnë shqiptarët një njeri të papërgjegjshëm që po çmend dhe boshatis vendin t’ia nxjerrë bojën edhe në arenën ndërkombëtare!

II. Shqiptarët nuk po ikin se krejt papritur po rrezikohen nga gjakmarrja apo arsye që pretendojnë një grupim i vogël se ju shkelen të drejtat identitare, por po ikin se iu është shkërmoqur SHPRESA! Shqiptarët po ikin se regjimi diabolik nuk ju ka lënë asnjë mundësi zhvillimi e jetese! Shqiptarët po ikin se në Shqipëri, kupola që drejton vendin po realizon axhendën e zbrazjes dhe shpopullimit të Shqipërisë!

Shqiptarët po ikin se nuk kanë më asnjë mundësi ta ndryshojnë pushtetin me forcën e votës pasi ajo e drejtë ju është marrë peng përmes sistemit KRIMINAL të PATRONAZHIMIT e rrjedhimisht ju është mohuar!

Shqiptarët ikin se fëmijët e tyre nuk kanë mësues, nuk kanë shkollë, nuk kanë shërbim shëndetësor nuk kanë mundësi të edukohen me standarde bashkëkohore! Shqiptarët po ikin sepse jetojnë në një vend ku polici jo vetëm nuk të mbron, por është pjesë e rrjeteve kriminale e të vret!

Po, po, të vret! Dhe prova keni sa te duash!

Shqiptarët ikin sepse drejtësia ju është marrë peng nga kupola, që duhet të ishte e paditur dhe dënuar nga kjo drejtësi dhe po ashtu nga interesa të huaja që një Zot e di se pse e mbështesin këtë klikë! Shqiptarët ikin sepse shtetin dhe institucionet i udhëheqin dhe drejtojnë sot njerëz që duhet të ishin jo në qeverisje por në burg pas hekurave!

Shqiptarët e kanë humbur shpresën sepse ata që po sundojnë dhe zhbëjnë Shqipërinë mbrohen me grushtin e hekurt të një ambasadoreje që në kundërshtim flagrant më ligjin ndërkombëtar vërtitet sa në kryeministri sa në bashki e sa në gjykata në vend që të qëndrojë në zyrë e të merret me interesat reale të shtetit të saj!

Shqiptarët ikin sepse ju është marrë peng edhe opozita nga një grup delenxhinjsh që falë mbështetjes që ju jep pushteti dhe ambasadat e huaja tallen në dritë tē diellit me dinjitetin dhe integritetin e shqiptarëve!

Dhe për fund!

Rrjetet kriminale në Britaninë e Madhe apo jashtë saj nuk janë shkaku i emigrimit masiv të shqiptarëve, por janë PASOJË e dhimbshme e këtij emigrimi! Shkaku i emigrimit është Edi Rama dhe enturazhi i tij sundues e jo gangot në Europë që përfitojnë nga situata e krijuar prej tij!

Merruni me shkakun jo pasojat!