Rinovimi i komplikuar, Milani gati të shesë Leaon në janar

Rinovimi i kontratës se Rafael Leaos po shndërrohet në një mision të pamundur për Milanin, që duket se po mendon më shumë për shitjen e portugezit, ndoshta që në janar, për të mos rrezikuar ta humbë me parametra zero.

Sulmuesi ka rritur ndjeshëm pretendimet e tij, pasi nuk pranon të negociojë për një pagë më të ulët se 7.5 milionë euro, i ndikuar edhe nga fakti që duhet t’i paguajë Sportingut të Lisbonës rreth 10 milionë euro, pas gjyqit të humbur në CAS.

Përveç kësaj shifre, te Milani duhet të bëjnë llogaritë edhe me komisionet e agjentëve, që shkojnë deri në 15 milionë euro dhe që e komplikojnë ëdhe më shumë operacionin e rinovimit.

Pikërisht për këtë arsye, Maldini nuk ka lënë asnjë takim të afërt për rinovim dhe po mendon shitjen e Leaos te Chelsea, me këta të fundit që kanë shprehur gatishmërinë të paguajnë deri në 120 milionë euro.

Kuqezinjtë do të ishin gati të hiqnin dorë prej Leaos për një shifër prej 80-85 milionë eurosh, plus kartonin e Armandi Brojës, i cili pëlqehet prej kohësh në Milano. Megjithatë ndërprerja e kampionatit për shkak të Botërorit, pritet të jetë edhe periudha ku do të vendoset jo pak për të ardhmen e Leaos, që duket gjithnjë e më larg Milanos.