Cila është kritika që mund t'i bëni liderit tuaj Sali Berisha? Përgjigjen Këlliçi, Bogdani, Alimehmeti dhe Kalaja

Cila është kritika që mund t'i bëni liderit tuaj Sali Berisha? Flasin katër kandidatët e primareve të PD për Bashkinë Tiranë në emisionin 'Çim Peka Live' në Syri Tv.

Belind Këlliçi: Do duhet të ishte hapje dhe më e madhe e PD-së. PD ka shumë nevojë për profesionistë të rinj, ekepertë të rinj, të rinj të studiuar brenda dhe jashtë vendit. S'jam kundër moshës në politikë, por kundër modeleve e profileve të ndryshme. Berisha duhet të bëjë dhe po e bën, e ka bërë të veten për të bashkuar çdo fraksion brenda PD, qoftë edhe një votë. Shembulli i zgjedhjeve të 2011 kur diferenca e rezultatit ka qenë vetëm me 10 vota tregon që për të fituar beteja të forta, kërkon që të unifikohet çdo faktor opozitar. Do kërkoja që të unifikohet e gjithë PD-ja. Të tejkalohet çdo pakënaqësi për të parë drejt një objektivi më madhor. Do kërkoja shumë më shumë nga Sali Berisha për të promovuar të rinjtë dhe hapjen e partisë. Sa herë PD ka guxuar, ka fituar.

Gerti Bogdani: Për hapjen më shumë ndaj të rinjve, Berisha është ai që e ka hapur PD-në dhe i ka suportuar të rinjtë më shumë se çdokush tjetër. Hapja e KOP-it në 2005, investimi i Brain Gain-it, mbështetje pa kushte ndaj të rinjve. PD i ka dhënë këto tradita dhe i vazhdon këto. Kritikë? Data 4 dhjetor për Primaret është shumë vonë, duhet të ishte bërë më 4 maj. 1 vit përpara sepse jemi në opozitë. Kemi një pushtet me para, i ka kapur të gjitha. Duhet të ishim në fushatë elektorale sepse është një sfidë shumë e vështirë por absolutisht e pamundur Tirana dhe pavarësisht sa e fortë mund të jetë makineria, ata që korruptojnë dhe blejnë votën janë një grusht i vogël njerëzish. Një klloun Instagrami s'mund t'i bëjë ballë prezencës qytetarë nëse qytetarët kanë përballë një alternativë. Këtë e nxjerr ky proces sot që duhet të ishte bërë edhe më herët. Ka ardhur koha të përveshi mëngët, të luftojmë për të ndryshuar Bashkinë e Tiranës.

Ilir Alimehmeti: Berisha është kryetar i PD-së, i zgjedhur me votë anëtarësie me parimin një anëtar një votë. Ne kemi një parti ku ka diskutim, lejohet fjala e lirë, jo si në krahun tjetër. Gjërat po vendosen tek ne me votë. Sa herë ka diskutime të tilla, krijohen diskutime. E kemi në natyrë që të kemi fjalën e lirë, prandaj jemi të djathtë. Kjo do sjellë një benefit shumë të mirë në të ardhmen. Fuqia e shumicës ecën përpara.

Adriana Kalaja: Unë s'kam qenë ndonjëherë fanse e madhe e zotit Berisha por me të jam bërë më 19 maj 2021. Kam bërë një status publik dhe gjatë asaj periudhe e kam ndjekur në çdo moment sepse për mua të luftosh për dinjitet, integritet, cënimin e të drejtave, është parësore. Kur lufton për dinjitetin tënd, je gati të luftosh për dinjitetin e çdokujt. Kjo është A-ja që vendosa të ndjek zotin Berisha pa menduar se do vinim në 2022 që të rithemelohej një Parti Demokratike. Më ka dhënë besim e mbështetje. Kam konsideratë dhe më të madhe kur i kam shkuar në zyrë. Më ka thënë respekto statutin dhe vetëm statutin. Vlera që i admiroj jashtë mase. Kritika ime, s’jam marrë kurrë me politikë, por mua më duket sikur fal shumë dhe e hap derën shumë ndaj atyre që kanë thënë dhe fjalën e fundit.