Brojka, Rama, Basha apo Veliaj? 4 kandidatët e primareve për Tiranën flasin për ish-kryebashkiakët

Albert Brojka, Edi Rama, Lulzim Basha apo Erion Veliaj? Me cilin ish-kryetar bashkie jeni më afër apo më larg? ​Flasin katër kandidatët e primareve të PD për Bashkinë Tiranë në emisionin 'Çim Peka Live' në Syri Tv.

Belind Këlliçi: Politikën e betonizimit në Tiranë e ka futur fillimisht Edi Rama. Drejtoi bashkinë 11 vite. Ishte i pari që filloi batërdinë me betonin në qytet. Veliaj, e ka perfeksionuar këtë politikë. Dhënie leje ndërtimi pa kufi. Në dëm të zhdukjes së trashëgimisë kulturroe. E ka çuar dhe më tej në bashkëpunim me krimin. Ekomafia lulëzoi dhe mafia e plehrave merr vendime. Ai që i ka bërë më pak dëme kryeqytetit ka qenë Lulzim Basha.

Gerti Bogdani: Duhet një model i ri. Tirana është në prag të një kolapsi urban. Duhet ndërhyrje e menjëhershme. Duhet model i ri që mos të shkojë në burg një e moshuar që bën gardh në Shkozë, por të shkojë ky që 200 metra nga zyra e bashkisë ndërton në qendër të Tiranës. Apo ndërtimi tjetër tek FSHS. Duhet një qytet ku hapësirat publike mos të zihen nga ndërtimet. Duhet transparencë në çdo cent që harxhon Bashkia Tiranë. 24 orë duhet transparencë. Duhet model i ri ku barazohen qytetarët. Duhet një qytet që sjell dinjitetin. Në Shqipëri do thoja se më afër se çdo model, do ishte ai i Qazim Mulletit, babaxhan, njeri me vizion e dashuri për qytetin e Tiranës.

Ilir Alimehmeti: Secili prej tyre në kohën e vet kur e ka nisur atë punë, ka gjetur një situatë, dhe në asnjë prej fillimeve të atyre mandateve nuk ka qenë kjo situatë që është sot. Duhet të jemi konkret. Situata e sotshme kërkon ndërhyrje urgjente. Jepen pafund leje ndërtimi. Duhet të mendojmë për situatën që do gjejmë më 15 maj 2023. Duhet ta mendojmë këtë nëse shkojmë atje fitues. Nëse është për figurë, apo personalitet, bashkohem me zotin Mulleti.

Adriana Kalaja: Asnjëri nuk është më afër meje. Rasti i Brojkës është unik. Duhet të kemi parasysh që nga një ekonomi e centralizuar kaluam në një private. Koha kur punonjësit e bashkisë, ish-komiteti i kërkonte me ngulm njerëzve për aktivitet privat. Për të ardhur tek Veliaj, është një shkallë shumë e lartë kriminaliteti dhe mënyra si ndërtohet në Tiranë ky e ka sofistikuar. Ka ngritur një shoqëri, Tirana DC. Ka 100 për qind kapital të Bashkisë Tiranë. Nëse lexoni objektin e aktivitetit, e them me bindje që edhe kompania më e fuqishme shqiptare do e kishte zili se si mundet një kompani me pronësi Bashkinë të fillojë aktivitetin e saj nga ndërtimi, shitje-blerje. E ka sofistikuar krimin e ndërtimit të kullave nëpërmjet pastrimit të parave.