VIDEO/ Kur e vendosa të kandidoj për Tiranën? Flasin 4 kandidatët e primareve

Katër kandidatët e deritanishëm të primareve të opozitës kanë rrëfyer në ‘Çim Peka LIVE’ se kur ka qenë momenti që ata kanë vendosur për të kandiduar për Tiranën.

Belind Këlliçi, Gerti Bogdani, Adriana Kalaja dhe Ilir Alimehmeti kanë zbuluar se me kë janë konsultuar dhe kanë marrë vendimin për të kandiduar.

Belind Këlliçi: Këtë vendim e kam marrë këto dy muajt e fundit. Vendimmarrja u bazua në konsultat fillimisht me zonat zgjedhore, katër degët e Tiranës që mbuloj si deputet i zgjedhur, Kombinatin, Unazën e Re, Vaqarrin, Pezën, Ndroqin e Kasharin. Ka qenë një periudhë dy mujore të konsultave me faktorë të ndryshëm. Për tu futur në një betejë me një model që është jetik për tu çrrënjosur një moment e më parë nga Tirana. Për të hequr modelin e Veliajt në krye të Bashkisë Tiranë i cili pas 8 vitesh në gjykimin tim, ka shumë më shumë dëme që i ka bërë qytetit sesa punë që ka bërë. Unë s’di ende një bilanc pune që ka bërë këto 8 vite.

Gerti Bogdani: Është një vokacion prej kohësh, pasi dashuria për Tiranën është e lindur. Ka marrë një formë akoma më reale dhe konkrete kur PD ka pasur një proces propozimesh në mos gaboj në fundin e vitit 2018 kur propozoheshin kandidatët për deputet dhe ata të bashkisë së Tiranës. Në pjesën dërrmuese emri im ka dalë për emrin e bashkisë. E pas një konsulte dhe diskutimi me demokratë në çdo cep të Tiranës kam gjetur thirrjen e tyre për të ndërmarrë këtë hap. Jam konsultuar me qytetarët e Tiranës.

Ilir Alimehmeti: Unë vij si qytetar i Tiranës dhe kam pasur gjithmonë atë ndjenjën se kjo mund të bëhet kështu, e kjo ka qenë kështu, se si mund të jap një kontribut për të përmirësuar gjëra që janë në sytë e të gjithëve. Ky ka qenë momenti kur pranova një ftesë nga PD, prej 30 prillit 2022, kur u zgjodha anëtar i Këshillit Kombëtar. Më pas në një protestë të pedagogëve në 5 tetor, ndodhi një seri shkrimesh në portalet e lidhura me bashkinë që ngritën një pritshmëri. Dhe nga ky moment shumë njerëz erdhën për të pyetur dhe përkrahur idenë. E gjithë kjo ka nisur si diskutim nga 5 tetori e këtej dhe jam konsultuar me ekspertë dhe me lidershipin e PD-së. Gjithashtu kam reflektuar me veten dhe ju e patë deklaratën e bërë të mërkurën ku jap vendimin tim për të kandiduar.

Adriana Kalaja: Fillimisht mllefin dhe urrejtjen ndaj asaj që po i ndodhte Tiranës e kam ndjerë në 17 maj në orën 04:35 minuta të atij mëngjesi, kur fadromat filloi ti binte pamjes kryesore të Teatrit Kombëtar. Dhe në atë natë tragjike i bëra pyetje vetes se; kur Tirana do të ketë një kryetar bashkie të përgjegjshëm, që respekton ligjin dhe një këshill bashkiak që nuk voton me urdhër. Gjatë gjithë kësaj kohe e kam ndeshur atë presionin e madh që kishte ky kryetar bashkie në raport me gjithë publikun Tiranas, pronën private, mos zbatimin e ligjit etj. Gjatë gjithë kësaj kohe kam menduar të isha pjesë e Këshillit Bashkiak për të dhënë ndihmën time dhe më pas njerëzit më thonin se pse nuk kandidon përballë Erion Veliajt.