Çfarë i ofrojnë Tiranës 4 kandidatët e primareve të PD?

Flasin në Çim Peka Live, katër kandidatët e primareve të PD, Belind Këlliçi, Gert Bogdani, Ilir Alimehmeti dhe Adriana Kalaja.  

Çfarë do t'i ofrojnë ata kryeqytetit nëse do të zgjidhen në krye të bashkisë në zgjedhjet vendore të 14 majit. 

Ja si shprehet secili prej tyre:

Belind Këlliçi: I ofroj një model ndryshe. Një model bazuar mbi integhritetin tim, si një politikan i ri çdo arritje e kam në gara elektorale përmes votës së lirë. Kam shijuar edhe fitoren edhe humbjen. Model që është i pashantazhueshëm, i pakapshëm nga asnjë instrument financiar, qoftë i dyshimtë apo i ndershëm. Një i ri 35 vjeç gjykoj se duhet të jap shembullin tim personal dhe nuk mund të qëndroja më dëshmitar okular i shkatërrimit të qytetit tim. Kam vendosur të jetoj në Tiranë dhe betejën ta bëj ditë për ditë. Si një i ri dua të jap shembullin edhe për të rinjtë. Tirana është sot i vetmi kryeqytet i Europës i cili të vetmen qendër rinore e shembi para pak kohësh, për të ndërtuar aty pallat. Me kartën e studentit nuk blen asgjë, vetëm një bluze me ulje çmimi. 

Gerti Bogdani: I ofroj Tiranës zgjidhjen e të gjitha problemeve që Belindi përmendi Belindi. Problemet janë ato që i konstatojmë me qytetarët çdo ditë. I ofroj Tiranës eksperiencë, të marrë jashtë në perëndim dhe të vënë në jetë në Tiranë, në detyrën time si kryetar i Njësisë 10 në Tiranë, ku shumë gjëra që kemi parë nëpër botë i kemi aplikuar në njësinë 10 si një model i mirë qeverisje. Sot e kësaj dite4 po të shkosh në Njësinë 10 janë aty modelet dhe standardet që kemi vendosur. Në këtë garë duhet të shkojmë së bashku, jo të ndarë. Të gjithë së bashku mund t'ia sjellim ndryshimin Tiranës dhe do t'ia sjellim ndryshimin. 

Ilir Alimehmeti: Së pari i ofrojmë mundësinë e fitores në datën 14 maj 2023, duke bashkuar votën, duke shkuar të përbashkuar me votat tona, të popullatës gri, një seri votash të majta i kthejmë të djathta, me votat e forcave aleate. Objektivi është 14 maj 2023. E këtu, më pas ofroj ndershmëri, një ndërgjegje qytetare, një administrim legjitim por që bëhet përmes një pune në grup, me ekspertë, me studim, mendim, mund dhe djersë. Gjithëpërfshirje, jo vetëm të ekspertëve tanë, por edhe që vijnë nga shoqëria civile, diaspora e me radhë. Mbi të gjitha ofroj zemrën time. 

Adriana Kalaja: Tiranën do t'ia kthej qytetarëve. E dyta, do kthej ligjshmërinë në çdo vendimmarrje të bashkisë së Tiranës, sa kohë që sot është shkelmuar dhe çdo vendim merret me urdhra, me SMS duke dhunuar pronën private, duke dhunuar jetën e qytetarëve, duke dhunuar ato nënat me tufat e majdanozit. Ajo që unë ofroj, gjëja e parë që do të bëj, është propozimi i një pakete ligjore që përmban referenduimin lokal. çdo punë publike në Tiranë, të kalojë nga një referendum në çdo rrugicë të vogël. Do të jenë qytetarët që do të votojnë në referendum për zhvillimin e Tiranës. Zhvillimi i Tiranës kalon vetëm mbi identitetin e saj, mbi historinë e saj, mbi trashëgiminë kulturore. Kjo është jo vetëm sfidë fituese, por unë jam e sigurtë se nëse ne kthejmë ligjshmërinë në veprimet e bashkisë Tiranë, nëse i japim të drejtën e vendimmarrjes qytetarëve të Tiranës, ne do ta bëjmë Tiranën të jetueshme, konkurruese, do ta bëjmë Tiranën me shumë kinema, me shumë teatro.