Miqësoret e Shqipërisë U-18 ndaj Malit të Zi, trajneri Behari shpall listën me 23 lojtarët e grumbulluar

Shqipëria U-18 do të zhvillojë dy të nisë nga e shtuna përgatitjet për dy ndeshjet miqësore me Malin e Zi në datat 8 dhe 10 dhjetor, teksa tashmë trajneri Ardi Behari ka shpallur listën e lojtarëve që do të grumbullohen për këto teste të rëndësishme. Këto dy takime do të zhvillohen në Shkodër (8 nëntor) dhe Podgoricë (10 nëntor).

Tekniku i kuqezinjve ka ftuar për këto dy miqësore 23 lojtarë, të cilët do të kenë mundësinë të shfaqin cilësitë e tyre përgjatë 6 ditëve të grumbullimit, por gjithashtu një mundësi shumë e mirë edhe për stafin kuqezi për të vëzhguar nga afër lojtarët e talentuar të kësaj grup-moshe dhe për të përgatitur boshtin e ekipit Kombëtar në sezonin e radhës.

Një pjesë e këtyre lojtarëve kanë qenë edhe më parë pjesë e ekipeve kombëtare. 11 prej këtyre futbollistëve aktivizohen në kampionatin vendas, teksa pjesa tjetër e lojtarëve aktivizohen në radhët e ekipeve që luajnë në kampionatet europiane, në Itali, Hollandë, Greqi, Austri etj, emrat e të cilëve janë sugjeruar nga skautet e FSHF-së në Europë.

Skuadra e drejtuar nga Ardi Behari do të grumbullohet fillimisht në Durrës, ku do të zhvillojë stërvitjet në kompleksin ‘Tropikal’, ndërsa të hënën do të udhëtojë drejt Shkodrës.

Të martën kuqezinjtë e drejtuar nga Ardi Behari do të zhvillojnë sfidën e parë ndaj Malit të Zi, në stadiumin ‘Reshit Rusi’ në ora 12:00, ndërsa miqësorja e dytë do të luhet në kompleksin e Federatës Malazeze në Podgoricë dy ditë më pas duke nisur nga ora 13:00.