As nuk fali, as nuk harroi: Ibrahimovic paralajmëron Haaland për egon e Guardiolës

Sulmuesi suedez Zlatan Ibrahimovic paralajmëroi norvegjezin Erling Haaland për egon e Pep Guardiolës dhe u përpoq t'i shpjegonte atij me shembullin e tij se çfarë problemesh mund të ketë në të ardhmen.

Ibrahimovic është i njohur për deklaratat e tij kundër Guardiolës dhe periudhën në të cilën ata kanë punuar së bashku në Barcelonë, e tani ai ka folur për këtë në kontekstin e Haaland dhe se sa mund të përparojë norvegjezi nën ndikimin e ekspertit spanjoll.

"A mund ta bëjë Guardiola një lojtar edhe më të mirë? Gjithçka varet nga egoja e Pep, domethënë nëse ai do të lejojë Haaland të jetë më i madh se ai. Ai nuk e lejoi atë tek unë dhe nuk e lejoi edhe tek lojtarë të tjerë”, tha Ibrahimovic.

Pas kësaj, ai kishte vetëm fjalë lavdëruese për Haaland dhe mënyrën se si ai luan dhe e kupton futbollin.

“A më pëlqen Erling? Po, shumë... Mendoj se ai është një lojtar shumë inteligjent, nuk bën gjëra për të cilat nuk është i aftë, nuk vjen në qendër për të marrë topin, vetëm qëndron te porta dhe shënon gola. Ai më kujton lojtarë si Inzaghi, Trezeguet, Vieri... Ai është një version i ri i atyre lojtarëve”, beson Ibrahimovic.

Në këtë sezon, Haaland ka luajtur gjithsej 16 ndeshje në të gjitha kompeticionet dhe ka shënuar 22 gola.

Nga sot ai është zyrtarisht futbollisti më i shtrenjtë në botë dhe sipas portalit Transfermarkt vlera e tij është 170 milionë euro, që është 10 milionë euro më shumë se Kylian Mbappe.