Kuçana: Rama po shpopullon Shqipërinë! Të rinjtë po largohen masivisht drejt Anglisë

Botuesi i 'The Albanian', Petrit Kuçana, komentoi në edicionin e orës 19:00 me Juli Krisafin në Syri Tv emigrimin masiv të shqiptarëve në Britaninë e Madhe. Kuçana deklaroi se që në verë e deri më sot me daljen e fenomenit të gomoneve, ka qenë një eklips i jashtëzakonshëm për shqiptarët e britanisë.

"Shqiptarët në median britanike dhe parlamentin britanik po shihen si delja e zezë e Europës. Shifrat janë kokëforta. Prej fillimit të vitit e deri tani janë 12 mijë shqiptarë që kanë ardhur me varka në Britaninë e Madhe."-tha Kuçana.

Botuesi deklaroi se duke iu referuar shifrave, pjesa më e madhe e shqiptarëve që emigrojnë drejt Britanisë janë djem të rinj, dhe pjesa më e madhe e tyre shkojnë në Angli për një të ardhme më të mirë.

"Nuk besoj se ka komunitet shqiptar nëpër botë si ai në Britaninë e Madhe. Më i zhvilluar, më i integruar. Kemi pedagogë e deri tek sipërmarrës me histori të jashtëzakonshme. Por një pjesë shumë e vogël i janë futur rrugës së krimit. Mbi 1300 shqiptarë janë në burgjet britanike, shqetësuese është edhe tendenca e disa të rinjve që bien pre e krimit dhe trafikantëve. Besoj se janë një numër shumë, shumë i vogël."-tha Kuçana.

Ai ngriti shqetësimin për situatën në Shqipëri teksa shtoi se vetëm shqiptarët janë ata që shënojnë numrin më të madh të emigrantëve. Kuçana deklaroi se qeveria shqiptare s’ka asnjë strategji për të ndaluar shpopullimin.

“Nëse do kishim serb apo maqedonas dhe të tjerë do ishte më e lehtë. Pse janë pikërisht shqiptarët që po largohen masivisht? Janë anëtarë të NATO-s, në zemër të Europës. A është vërtetë emergjencë kombëtare shpopullimi? Po ikin të majtë, të djathtë, të rinj. Sa shumë shkolla janë mbyllur në Shqipëri pasi të rinjtë janë larguar. A ka strategji shteti shqiptar për të ndaluar shpopullimin.”-deklaroi Kuçana.