Kylian Mbappe nuk kryeson më listën, ja kush është futbollisti më i shtrenjtë në botë

Portali i specializuar për transferime – Transfermarkt, ka publikuar të dhënat e reja për futbollistët më të shtrenjtë sot dhe sipas vlerësimeve të tyre, norvegjezi Erling Haaland është aktualisht lojtari më i vlefshëm.

Golashënuesi i kombëtares norvegjeze dhe Manchester Cityt këtë sezon ka realizuar 22 gola në të gjitha garat, gjë që ndikoi veçanërisht në vlerën e tij, e cila aktualisht është 170 milionë euro.

Kështu Haaland ka kaluar në vend të parë sulmuesin e PSG-së, Kylian Mbappe, vlera aktuale e të cilit është 160 milionë euro dhe në vendin e tretë është anësori i Real Madridit, Junior Vinicius, i cili vlen 120 milionë euro.

Në top pesëshen janë edhe dy lojtarë të rinj, Phil Foden i Manchester City-t me vlerë 110 milionë euro dhe Pedri i Barcelonës, ​​i cili sipas këtij portali kap vlerën e 90 milionë eurove. Në dhjetëshen e parë janë edhe Jude Bellingham dhe Bakayo Saka, me një vlerë prej 90 milionë eurosh, si dhe Harry Kane i Tottenham.

I nënti është Dushan Vlahovic i Juventus dhe vlera e tij është 85 milionë euro, ndërsa vendi i 10 i takon lojtarit të ri të Bayernit, Jamal Musiala, vlera e të cilit llogaritet në 80 milionë euro.