Konfiskimi i RTV Ora/ Reagon Meta: I vetmi Tv i paligjshëm që duhet sekuestruar është ERTV-ja

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shprehur për herë të parë qëndrimin e tij në lidhje me vendimin e gjykatës së posaçme për konfiskimin e RTV Ora.

Meta: I vetmi televizion që duhet sekuestruar dhe konfiskuar është ERTV se është televizion i paligjshëm. Ndërsa në rastin aktual mendoj se na mjaftojnë dhe na teprojnë rekordet e deritanishme negative sa i takon cënimit dhe dhunimit të medias së lirë në Shqipëri. Ky është një rekord tjetër negativ. Në çdo rast nuk duhet të përdoret një çështje ndaj një personi apo individi për të mbyllur një media. Solidaritetin më të plotë me të gjithë gazetarët, me gjithë stafin e  këtyre televizioneve dhe jam i sigurit se është një përpjekje e dëshpëruar e kësaj qeverie për të mbyllur çdo zë dhe çdo dritare kritike ndaj skandaleve të qeverisë dhe të bashkisë.

Më herët dhe kryetari i PD-së Sali Berisha e quajti në kundërshtim flagrant me ligjin vendimin për konfiskimin e RTV Ora. 

Berisha: Duke mbështetur pa asnjë hezitim çdo përpjekje për zbatimin e ligjit, unë u them shqiptarëve se nga të dhënat që kam deri tani, kjo që po ndodh në RTV Ora, është absolutisht në kundërshtim flagrant me ligjin. Ajo që është shqetësuese për mua është se kemi të bëjmë me një media. Shqetësimi i dytë i madh është se kemi të bëjmë me një proces që mund të na çojë si Agon Channel. Nëse ju kujtohet, Edi Rama lëshoi një lumë akuzash ndaj Françesko Beketit për larje parash.