Emigrimi drejt Britanisë së Madhe, Hoxhaj: Shqiptarët s'janë kriminelë, por s'kanë kushte në Shqipëri

Profesori në London College, Andi Hoxhaj, komentoi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv emigrantët ilegalë shqiptarë në Britaninë e Madhe. Andi Hoxhaj deklaroi se gjuha e përdorur nga politikanët britanikë se shqiptarët janë kriminelë, është tepër e rëndë.

Hoxhaj deklaroi se shqiptarët largohen nga Shqipëria pasi nuk kanë kushtet minimale ndërsa tregoi rastin e dy kolegëve të tij të cilët studiuan në Britani të Madhe, shkuan në Shqipëri por askush nuk i mori në punë në universitet.

"Nëse marrim profile të ndryshme, dy kolegët e mi që kanë mbaruar këtu, u kthyen në Shqipëri, po asnjë nuk i mori në universitetet e Tiranës.

Në Universitetin e Tiranës janë ish-zv/ministra apo kryeprokurorë dhe nuk ua merr dot kollaj vendin. Mund të jenë raste sporadike por flasim për një problem strukturor dhe institucional. Palët kanë detyrat e veta për të bërë."-tha Hoxhaj.

Sipas profesor Hoxhajt, qytetarët duhen ftuar për të qenë pjesë e diskutimeve me qeverinë ndërsa theksoi se duhet gjetur një zgjidhje reale. Në përfundim profesori tha se pala shqiptare dhe ajo britanike duhet të ulin tensionet dhe retorikën që kanë ngritur pasi dëmtohen emigrantët që jetojnë në Angli.

Palët duhet të ulin tensionet dhe retorikën që kanë ngritur sepse dëmtohen emigrantët e thjeshtë që jetojnë këtu.”-tha Hoxhaj.