SYRI TV/ 'Kyçet' RTV Ora, merret në administrim nga shteti, Arapi: Procedura si me ‘Agon Channel’

Një ditë pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vendosi konfiskimin e 32 pasurive të biznesmenit Ylli Ndroqi, mes të cilave edhe Radio Televizionin Ora, në ambientet e kësaj të fundit, mbërritën përfaqësues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Agjencisë Shtetërore të Administrimit të Pasurive të Konfiskuara.

Krahë tyre, administrator i caktuar nga shteti, Farudin Arapi në një takim me drejtuesit e televizionit dhe stafin, u gjend përballë pyetjeve të shumta. Mes tyre edhe sa i përket garantimit të lirisë në linjë editoriale, por edhe situatën jo të zakonshme që është krijuar.

Teksa përpiqej të qartësonte stafin, Arapi duket sikur bëri një lapsus, kur mori si situatë krahasimore televizionin Agon Channel, i cili u mbyll pikërisht pas tentativeve që pas konfiskimit, të menxhohej nga shteti.

Drejtori I Informacionit të RTV Ora, Brahim Shima, iu kundërpërgjigj, se artikulimi i Arapit nënkuptonte mbylljen përfundimtare të Televizionit, ndërsa shtoi se gazetarët janë shantazhuar edhe në kohën kur media ndodhej e konfiskuar.

Disa nga gazetarët e Rtv Ora, shprehën shqetësimin e tyre, ndërsa theksuan se kjo është një goditje për shumë punonjës që mund të mbeten të papunë.

Avokatët e biznesmenit Ylli Ndroqi kanë paralajmëruar apelimin e vendimit dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën e Strasburgut.