Sekuestrimi i RTV Ora/ Berisha: Do të ndodhë si me Agon Channel, por gjobën do e paguajë Rama

Kryetari demokrat, Sali Berisha, komentoi në konferencën për shtyp edhe çështjen e RTV Ora.

“Duke mbështetur pa asnjë hezitim çdo përpjekje për zbatimin e ligjit, unë u them shqiptarëve se nga të dhënat që kam deri tani, kjo që po ndodh në RTV Ora, është absolutisht në kundërshtim flagrant me ligjin. Ajo që është shqetësuese për mua është se kemi të bëjmë me një media.

Shqetësimi i dytë i madh është se kemi të bëjmë me një proces që mund të na çojë si Agon Channel. Nëse ju kujtohet, Edi Rama lëshoi një lumë akuzash ndaj Françesko Beketit për larje parash. Ndërkohë Beketi fitoi një gjobë të jashtëzakonshme.

Mund të paguajmë ndonjë 100 milionë euro edhe për këtë TV, e cila siç më thonë burime të besueshme, nuk ka atë bilanc që ia falsifikon Edi Rama me gjyqtarët e tij. Harrojnë se ai bilanc shkon në Strasburg, shkon në arbitrazhe dhe merr një ndëshkim të ri për një njeri që nuk kontrollon vetveten.

Pra, nëse ke probleme me pronarin, merr masa ndaj pronarit, por kur nuk ka fakte, shkon e merr median. Unë kam të dhëna të sigurta se është vepruar në kundërshtim flagrant me ligjin. Se gjykata ka zbatuar urdhër politik. Por ai gjykatës, dhe Edi Rama, gjobën që do marrë Shqipëria, do e paguajë në mënyrë personale,” tha Berisha.