Banka e Shqipërisë për buxhetin 2023: Ka rreziqe të larta për deficitin, të shtohen fondet e kontingjencës

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paraqiti sot në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi projektbuxhetin e vitit 2023. Sejko tha se Banka e Shqipërisë vlerëson pozitivisht angazhimin për konsolidim fiskal, i shprehur në reduktimin e deficitit buxhetor, nga niveli 3.3% i PBB-së i pritur për vitin 2022 në 2.6% të PBB-së për vitin 2023, si edhe përmirësimin e balancës primare, nga një deficit prej 1.3% i PBB-së i pritur për vitin 2022 në një suficit prej 0.2% të PBB-së për vitin 2023.

Banka e Shqipërisë gjykon se konsolidimi fiskal dhe normalizimi i qëndrimit të politikës monetare përbën kombinimin më të mirë të mundshëm të politikave ekonomike për të mundësuar uljen e inflacionit dhe kthimin e tij në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024.

Banka e Shqipërisë shprehu gjithashtu mbështetjen për një proces konsolidimi të udhëhequr nga rritja e të ardhurave buxhetore. Sipas Sejkos, reduktimi i vazhdueshëm të informalitetit dhe reduktimi i përjashtimeve tatimore, nxit konkurrencën dhe eficiencën në ekonomi. Po ashtu, ai ruan hapësirat për shpenzime publike, aq të nevojshme për një vend në zhvillim dhe proces konvergjence me standardet e Bashkimit Europian si Shqipëria. Por, në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë mbështet një rritje të kontrolluar të shpenzimeve korrente në afatin e shkurtër, për të adresuar goditjen që inflacioni sjell mbi shtresat më të varfra të shoqërisë.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se Buxheti është i ekspozuar ndaj rreziqeve të konsiderueshme për një deficit më të madh se parashikimet. Këto rreziqe burojnë nga pasiguritë mbi rritjen ekonomike dhe realizimin e nivelit të parashikuar të të ardhurave, si dhe nga pasiguritë në parashikim që sjell shkalla e përmirësimit të eficiencës tatimore dhe shkalla e përmirësimit të bilanceve të sektorit energjetik.

“Për të adresuar këto rreziqe, Banka e Shqipërisë sugjeron shtimin e fondeve të kontingjencës në buxhet, duke synuar rritjen e eficiencës operacionale dhe zbatimin prioritar të planit të shpenzimeve; monitorimin në vazhdimësi të ecurisë së bilancit financiar të sektorit energjetik shqiptar dhe ndërhyrjen në kohë për të shmangur kostot potenciale që mund të vijnë nga çmimet e larta në tregjet e huaja apo situata e prodhimit të brendshëm; monitorimin e vazhdueshëm të ecurisë së të ardhurave dhe të planit të investimeve publike, për të marrë në kohë masa, të cilat synojnë kontrollin e deficitit buxhetor në vlerat e programuara,” tha Sejko.

Në raport me qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike, Banka e Shqipërisë vendosi edhe njëherë theksin te deficiti i skemës së sigurimeve dhe tek programet e Partneritetit Publik-Privat. Duke pasur parasysh dhe trendet e pafavorshme demografike, Banka e Shqipërisë sugjeron rishikimin periodik të skemës së pensioneve, atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale, me synim ruajtjen e këtyre skemave në trajektore të qëndrueshme dhe të përballueshme për buxhetin e shtetit.

Ndërkohë, Sejko theksoi edhe njëherë se programet e Partneritetit Publik – Privat mbartin rreziqe potenciale për financat publike, duke inkurajuar fuqizimin e rolit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në shqyrtimin paraprak të këtyre projekteve dhe monitorimin e vazhdueshëm të tyre.

“Në linjë dhe me qëndrimet tona të mëparshme, Banka e Shqipërisë sugjeron përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve. Ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike; integrimin e procesit të kontraktimit dhe përzgjedhjes së PPP-ve me programin strategjik të investimeve, sikundër janë identifikuar në programet afatgjata të zhvillimit të vendit; përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit,” tha Sejko.