Gjykata e Posaçme e mbylli RTV Ora, avokatët: U godit media, akt i rëndë me prapavijë politike

Gjykata e Posaçme e mbylli televizionin Oranews. Me vendimin e djeshëm Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të konfiskuar pasuritë e presidentit të "Yldon Media Group” Ylli Ndroqi. “RTV Ora” sot është në pronësi të shtetit" tha avokati Besnik Muçi në një prononcim për median menjëherë pas seancës gjyqësore. Avokatët nuk e fshehën zhgënjimin dhe shokimin lidhur me këtë vendim të cilin e vlerësojnë të pabazuar në ligj dhe në prova. 

Jordan Daci tha: "Është e pashpjegueshme. Këto vendime fatkeqësisht të bëjnë të humbasësh besimin në sistemin e drejtësisë në mënyrë të pariparueshme. Nuk ka asnjë lloj logjike juridike, ligjore apo financiare. Mezi presim të lexojmë vendimin. Por unë nuk di çfarë do të shkruajë ajo gjyqtare pasi për mua nuk ka çfarë shkruan. Ajo më mirë të shkruajë desha unë, siç deshi prokuroria ta marrë dhe po i marr dhe pikë pasi çdo gjë tjetër nuk do të ketë vlerë."

"Bindem që sistemi ynë ka sëmundje aq të rënda sa nuk besoj se do të jepet ndonjëherë drejtësi. Nuk e di ku i gjeti numrat. Ky është vendim që synon goditjen e medias. Janë kujdesur që Ora News të ketë 60% të kuotave të sekuestruara ëq nënkupton humbjen e kuotave kontrolluese. Është vendimi më i pabazë që kam dëgjuar me veshët e mi. Asnjë gjykatë në botë nuk do të merrte një vendim të tillë”

Avokatët shprehën shqetësimin pasi një vendim i tillë kthehet në precedent për bllokimin e pasurive të çdo shqiptari pa gjykim të drejtë por sepse ka dhënë urdhër prokuroria.

"Nëse ky standard që kanë vendosur prokurorët dhe kjo gjykatë do të zbatohet pasuria e çdo shqiptari përfshi dhe tuajën mund të merret sepse i ka kërkuar prokuroria por jo se provat dhe ligji parashikojnë një gjë të tillë" tha më tej Daci

Edhe avokati Besnik Muçi e quan vendimin haptazi të paligjshëm

Besnik Muçi: Është një vendim haptazi i paligjshëm. I pambështetur në prova që vetë gjykata mori. Ekspertët e gjykatës nxorrën se pasuria e zotit Ndroqi gati 80 mln euro është nga burime të ligjshme. Gjykata shkelmoi atë që thanë ekspertët kontabël. Që zoti Ndroqi e familja e tij ka 600 mijë euro të ardhura nga rroga, 6 milionë euro të ardhura nga dividenti I kompanive, 4 mln lekë të ardhura nga shitja e pasurive të luajtshme e të paluajtshme dhe kanë marrë kredi në shumën 6 mln euro një pjesë ende për tu shlyer. Të gjitha këto pasuri të ligjshme të provuara nga ekspertët. Nuk e di ku I çoi gjykata kur vendosi konfiskimin e pasurisë së zotit Ndroqi.

A ka prapavijë politike?

Besnik Muçi: Sa kohë që është një vendim haptazi në kundërshtim me ligjin nuk ka arsye tjetër veç prapavijës politike. Qëllimi është mbyllja e një medie në Shqipëri që nuk pëlqehet nga politika. Kjo është arsyeja sa kohë që nuk gjejmë asnjë arsye që ky vendim të jetë mbështetur në ligj. Por ndërsa një betejë u humb lufta nuk mbaron. Avokati Enis Daci tha se beteja do të vijojë në Strasburg.

Avokati Enis Daci: “Një betejë u humb sot. Ishte betejë fatkeqësisht e paracaktuar diktuar dhe orkestruar. Beteja tjetër do të jetë në Strasburg. Do të shohim çfarë do të thotë gjykata Ndërkombëtare për vendimin e sotëm”