Procesi i Berlinit/ Nesho: Të mos humbet kohë me 'Ballkanin e Hapur’

Partia e Lirisë ka përshëndetur samitin e ‘Procesit të Berlinit’ ku u miratuan 3 marrëveshjet mes vendeve të rajonit.

Në një dalje për mediat zëvendëskryetari i PL-së, Agim Nesho pohoi se kjo parti ka insistuar me kohë që të vijohet drejt Procesit të Berlinit. Mes të tjerash Nesho tha se me ‘Ballkanin e Hapur’ mos të humbet më kohë.

DEKLARATA E NESHOS

Partia e Lirisë përshëndet takimin e Berlinit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadrin e fuqizimit të proceseve integruese të këtij rajoni dhe perspektivës së qartë dhe të sigurtë të tyre në Bashkimin Europian.

Partia e Lirisë ka insistuar me kohë që Procesi i Berlinit duhet të ishte procesi i vetëm që garatonte perspektivën europiane të shqiptarëve.

Ne përkrahim plotësisht vendosmërinë e kancelarit Sholc, i cili në këto momente të rëndësishme gjeopolitike për Europën, shtyu si domosdoshmëri, Procesin e Berlinit si nevojë për integrimin e rajonit, brenda një platforme europiane.

Kjo platformë siguron përfaqësim të barabartë të shteteve, politika të konsoliduara europiane, respektimin e vlerave dhe principeve perëndimore, treg të përbashkët rajonal, që siguron lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit.

Ne përshëndesim nënshkrimin e marrëveshjeve të para mes shteteve të rajonit, në kuadrin e lëvizjes së lirë, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e urdhrave te tre profesioneve (Mjekut, Dentistit dhe Arkitektit).

Përkrahja për këtë iniciativë për Ballkanin Perëndimor nga përfaqësuesit e Brukselit dhe vendet e BE-së, është një përkrahje për integrimin e shpejtë të rajonit në BE, është një mbështetje konkrete, me fonde të dedikuara nga vendet e BE-së, siç u tregua edhe nga mbështetja që po japin për krizën energjetike, bashkëveprimi në fushën e krimit kibernetik etj. Ne kemi kërkuar, për të mos humbur kohë e energji me projekte te tjera si Ballkani i Hapur, të cilat, përveçse protagonizmit të panevojshëm, interesave të ngushta dhe shmangia e interesave kombëtare, nuk e afronin procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Sot nuk është momenti për të diskutuar dështimin ne vizionin e politikes se jashtme.

Ne mendojmë se sot është koha që qeveria shqiptare t'i përkushtohet me çdo gjë dhe pa rezerva, këtij projekti madhor që realizon aspiratën e popullit tonë për t'u bashkuar më shpejtë me BE-në.