U dhunua për kotecin pa leje/ Merr fund tmerri për 82-vjeçaren

Sorollatjet e një të moshuare 82-vjeçare nëpër dyert e drejtësisë në Vlorë kanë marrë fund. Gjykata e Vlorës rrëzon të gjitha akuzat ndaj gruas së moshuar, e cila u denoncua nga fqinjët për ndërtimin e një objekti pranë banesës së saj. Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 3 muaj për Lefkothia Karasa, por gjyqtari Enkel Peza ka vendosur të pushojë çështjen.

Avokati Geron Gunbardhi ka theksuar se nuk kishte vepër penale. Gruaja rezulton të jetë dënuar edhe më parë për ndërtim pa leje, dënim i konvertuar në shërbim prove. Rasti bëri bujë gjatë muajit shtator, ndërsa qeveria miratoi një akt normativ që legalizonte katetet pa leje të pallateve në Tiranë.

E moshuara, e cila jeton e vetme, u shpreh në atë kohë se ishte denoncuar nga fqinjët për ndërtimin e një barake për pulat. “Na denoncoi fqinja. Policia më mori me forcë. Çfarë i mora unë asaj, ajo më mori tokën time. Ma goditën me gurë burrin tim të ndjerë, i dëmtuan këmbën dhe pastaj më mori tokën. Më prishën gardhin. Ndërtimi është bërë në tokën time, e kemi fituar gjyqin. Toka është vjehrrit, e kam me dokumente”, tha e moshuara, të cilës i ka ndërruar jetë bashkëshorti pak vite më parë.

Lefkothea Karasa deklaron se kishte një kotec të vjetër dhe e kishte prishur atë për të ndërtuar një të ri dhe për të futur aty edhe disa dele. “Policia erdhi për kotecin. Nuk kishim vend për të futur ca dele dhe ne e ndërtuam dhe ata erdhën. Asgjë s’i kam prishur asaj (komshies), ajo më ka prishur mua gardhin. Erdhi policia më mori mua me forcë. A ju kanë thënë për ta prishur? Jo! Ne e kemi në tokën tonë (qan)”, u shpreh ajo. Prokuroria e Vlorës ngriti ndaj saj akuzën për “ndërtim të paligjshëm”.