Skriniar një hap larg rinovimit, PSG-ja hedh sytë nga mbrojtësi i Milanit

Marotta paralajmëroi rinovimin e Skriniar brenda datës 13 nëntor dhe sipas mediave pranë klubi zikaltër, palët janë vërtetë shumë pranë firmës mbi kontratën e re, që do ta mbajë sllovakun deri në 2027-ën në Milano.

Palët kanë mbajtur një takim të parë, nga ku kanë dalë shumë optimistë, pasi vetë Skriniar ndihet mirë në Milano dhe është gati të pranojë rinovimin me shifra të njëjta si ato të Brozovic dhe mbi të gjitha, me një rol lideri, pasi i është premtuar shiriti i kapitenit.

Në ditët e ardhshme pritet një tjetër takim mes palëve, që do të jetë edhe i parafundit, pasi do të sistemohen të gjithë detajet, për t’i lënë vend më pas firmës mbi kontratën e re.

Bëhet fjalë për një pagë prej 6.5 milionë eurosh neto dhe një milionë të tjera në formë bonusesh, si dhe shiritin e kapitenit, ndërsa në këtë mënyrë Interi synon t’i mbyllë njëherë e mirë derën Pari Saint Germain.

Klubi francez e kërkoi me ngulm sllovakun edhe në verë, por nuk iu afrua dot pretendimeve të Interit, ndoshta edhe për faktin që shpresonte ta merrte në janar për shumë më pak para.

Megjithatë tani që Skriniar është drejt rinovimit, duket se drejtuesit e PSG-së po studiojnë transferimin e francezit Pierre Kalulu nga Milani, me këtë të fundit që po kalon një formë mjaft të mirë te kuqezinjtë.

Për kartonin e Kalulu te Milani do të kënaqeshin me 25-30 milionë euro, shifër kjo që nuk përbën asnjë problem për arkat e PSG-së, me francezët që janë në kërkim të një mbrojtësi, për të kompletuar repartin e prapavijës.