Sinjale pozitive nga Brozovic, shpresohet të jetë gati kundër Juventusit

Marcelo Brozovic është në garë me kohën për rikuperimin e tij, pasi Inzaghi dhe i gjithë Interi presin që ai të jetë i disponueshëm për ndeshjen me Juventusin.

Kroati ka kryer ditën e djeshme një pjesë të stërvitjes me grupin, duke dhënë sinjale pozitive, por për të marrë një vendim për të, stafi do të presë edhe dy stërvitjet e mbetura deri të dielën.

As ai vetë dhe as trajneri nuk duan ta rrezikojnë, me Botërorin kaq pranë dhe nuk do të nxitojnë për ta pasur në grup, duke marrë parasysh se Calhanoglu po bën mirë në vendin e tij, por mundësia për të qenë i grumbulluar të dielën sa vjen e shtohet.

Nëse ia del, mesfushori do ta nisë padyshim nga stoli, me Inzaghin që mund t’i ofrojë disa minuta në fund.