Berisha për 12 nëntorin: Njerëzit mezi po presin, vetëm një shushunjë fluturon 137 herë me çarter

Sali Berisha thotë se shqiptarët mezi po presin 12 nëntorin, datë në të cilën opozita ka thirrur protestë kombëtare.

Berisha: Njerëzit mezi po presin me të madh dhe të vogël. E kanë identifikuar armikun e tyre, ai është Edi Rama. Një njeri që i lejon vetes të fluturojë 137 herë me çarter dhe në distanca transndërkontinentale ai është një shushunjë.

Akuzave të Ramës se shpenzimet e tij në fluturime janë sa gjysma e kostove të Berishës, ai ka këtë koment.

Berisha: Ai beson se shqiptarëve mund tu thotë çdo gjë, se një biletë biznesi kushton 2 herë më shumë se çarteri me 50 vende dhe dhomë gjykimi. 3-5 vitet e fundit e ka pasur si sulltan me dhomë gjumi çarterin. Presidenti i SHBA kishte bërë në 8 vite 74 udhëtime dhe jo 137 dhe ai ka detyra globale.

I ftuar në "Drejt" në Rtv Ora ai shprehu mbështetjen ndaj protestës së pedagogëve.

Berisha: E kam ndjekur me simpatinë më të madhe. Është një lëvizje e frymëzuar totalisht nga njerëz që kërkojnë të shpëtojnë universitetet, lirinë akademike, mbylljen progresive të universiteteve. Edi Rama ka ndjekur politikën e  shuarjes së universiteteve. A ka kryeministër në botë që thotë le të mos ketë studentë vendas se do marr studentë të huaj për të studiuar? Nuk kisha dëgjuar kurrë, një mendje e mbrapshtë perverse antishqiptare shkon dhe në këto formulime.

Sipas tij Rama është në një armiqësi të plotë me botën akademike.

Berisha: Edi Rama është një mjeran në rrafshin intelektual. Berisha po bën shumë të ketë rreth vetes intelektualë dhe një grup ekselencash të rinj dhe do ti ketë, të garantoj. Intelektualët janë një pasuri e paçmuar kombëtare. Bota akademike pati fatkeqësi të madhe këto vite. E imagjinon tu ndalosh universiteteve mbrojtjen e doktoraturave?  Privatët ja ngrohën xhepin. Po të ndalosh doktoratat ti ndalon kërkimin shkencor.