Njoftoi fundin e karrierës, Pique i fali Barcelonës një shumë të pabesueshme parash

Mbrojtësi legjendar i Barcelonës, Gerard Pique ka njoftuar se po tërhiqet nga futbolli dhe se këtë të shtunë kundër Almerias do të jetë ndeshja e tij e fundit në Camp Nou dhe sipas mediave spanjolle, ai do t'i falë klubit katalanas një shumë të madhe parash.

Shifrat se sa fiton Pique kanë qenë gjithmonë të diskutueshme, madje edhe publike. Por është interesante përllogaritja e shumës mes asaj që i detyrohet pasi i është ulur paga për shkak të pandemisë dhe asaj që do të kishte sipas kontratës.

Kontrata e Piques ishte e vlefshme deri në vitin 2024 dhe mediat spanjolle njoftuan se mbrojtësi me përvojë hoqi dorë nga 30 milionë euro me këtë lëvizje.

Pique merrte 28 milionë euro në vit para uljes së pagës dhe ai ishte ndër lojtarët e parë të Barçës që ranë dakord për uljen e rrogës dhe kështu i mundësoi klubit të regjistrojë përforcime sezonin e kaluar.

Duke qenë se bëhet fjalë për një ndërprerje të njëanshme, siç kuptohet, Pique i fal Barcelonës të gjitha shumat e mbetura, siç ndodh kur një trajner vendos të japë dorëheqjen dhe të mos lirohet nga detyra.

Pique mbërriti në Barcelonë në moshën dhjetë vjeçare në vitin 1997, por në vitin 2004 u transferua te Manchester United. Katër vjet më vonë, Josep Guardiola e riktheu në Barcelonë, ku ndërtoi një emër futbolli dhe u bë një nga lojtarët më të rëndësishëm për krenarinë e Katalonjës.

Me Barçën, ai fitoi tetë tituj kampion spanjoll, gjashtë Superkupa dhe shtatë Copa del Rey. Në skenën ndërkombëtare ai fitoi tre tituj të Champions League, Superkupën e Evropës dhe Kampionatin Botëror për Klube.

Deri më tani, ai ka luajtur 615 ndeshje për Barcelonën dhe ka shënuar 52 gola.