VIDEO/ Bylykbashi: Bashkimi i demokratëve po ndodh në bazë. Statuti i 11 dhjetorit nuk negociohet!

Edhe pse negociatat mes Gazment Bardhit dhe Edi Palokës dështuan, për nënkryetarin e PD, Oerd Bylykbashi bashkimi i demokratëve po ndodh në bazë. 

I ftuar në Çim Peka Live në Syri Tv, Bylykbashi tha se në disa degë të PD unifikimi i bazës tashmë ka ndodhur dhe po vijon edhe në degë të tjera. 

Numri dy i PD kishte një ftesë për pakicën, por në mënyrë të prerë u shpreh se statuti i 11 dhjetorit nuk negociohet.  

Oerd Bylykbashi: Bashkimi në bazë po ndodh. Ka ndodhur në Durrës, ka ndodhur në Kurbin dhe po ndodh edhe në vende të tjera se si demokratët e bazës po bashkohen. Deputetët mund të jenë të motivuar edhe nga interesa apo përllogaritje të caktuara, kurse demokratët e bazës interes kanë fitoren në zgjedhje, qytetarët duan një opozitë alternativë dhe këtë po përpiqemi të japim. Në këtë përpjekje të fundit dikush mund ta shohë edhe si faktorizim, diku dëgjova dje se kanë nevojë të mbijetojnë politikisht. Por mbijetesa politike është e mundur edhe brenda kornizave të statut që kemi. Por një gjë është e panegociueshme, statuti që kanë miratuar demokratët nuk negociohen.