Miqësoret e Kombëtares U-18, flet Behari: Testojmë elementë cilësorë që mund të jenë gati për Kombëtaren U-19

Kombëtarja shqiptare U-18 do të zhvillojë dy miqësore me Malin e Zi U-18 në datat 8 dhe 10 nëntor me stafin teknik që ka një mundësi të mirë ndër të tjera për të provuar sidomos disa elementë të talentuar që aktivizohen me ekipet e huaja, emrat e të cilëve janë sugjeruar nga skautët e FSHF nëpër Europë.

Trajneri i Kombëtares U-18, Ardi Behari, shprehet këto ndeshje janë mjaft të vlefshme për të parë në aksion disa kategori lojtarësh edhe për faktin se në këtë grup-moshë zhvillimi i futbollistëve është shumë dinamik dhe duhen monitoruar në mënyrë të vazhdueshme për të kuptuar sa më mirë rritjen e tyre. Sa i përket objektivave të tjera, për teknikun këto janë dy ndeshje që do të luhen për t’u fituar.

“Këtë mundësi që na ka dhënë Departamenti i Ekipeve Kombëtare me këto dy miqësore do të mundohemi ta shfrytëzojmë në mënyrën sa më të mirë të mundshme për të evidentuar disa lojtarë të cilët nuk kanë qenë të testuar më parë deri në këtë moment. Jo vetëm kjo kategori lojtarësh, por edhe një kategori tjetër lojtarësh të cilët anë bërë lëvizjet e tyre respektive qoftë nëpër ekipe, por qoftë edhe për shkak të rritjes së tyre cilësore si rrjedhojë e ciklit të formimit që ka çdo lojtar i kësaj grup-moshe.

Nisur nga kjo qëllimi kryesor i këtyre dy ndeshjeve, përveç marrjes së fitoreve natyrisht, është për t’i vënë në dispozicion Departamentit të Ekipeve Kombëtare dhe Sektorit Teknik e veçanërisht në funksion të ekipit Kombëtar U-19 për të vazhduar pjesën e seleksionimeve të lojtarëve për formimin e kësaj përfaqësueseje për kompeticionin e ardhshëm ndërkombëtar”, – thotë Behari në një prononcim për Fshf.org.

Më tej, tekniku i kuqezinjve flet edhe me emra konkretë duke përmendur disa nga lojtarët që vijnë për herë të parë me ekipet Kombëtare të moshave e të cilët janë transferuar këtë sezon në klube dhe akademi të njohura europiane si rrjedhojë e rritjes së tyre.

“Në këtë grumbullim do të marrin pjesë disa lojtarë të cilët vijnë për herë të parë pas një punë të mirë të bërë nga skautët e FSHF jashtë vendit siç është për shembull rasti i Erald Krasniqit që vjen nga Heerenveen. Ka luajtur më parë me ekipet kombëtare të moshave U-15 dhe U-17 të Holandës dhe falë një pune të mirë të skautëve që mbulojnë Belgjikën dhe Holandën u arrit që të gjendej mënyra për ta sjellë dhe për ta vëzhguar në aksion me Kombëtaren tonë. Jo vetëm ky por ka edhe raste të tjera si Christian Kosiqi, i cili më parë ka luajtur me nivele amatore dhe tani është transferuar te Cagliari, Gentian Belaj që aktivizohet te Mechelen në Belgjikë, Enriko Deri i Sassuolos në Itali, madje këtë herë edhe nga Greqia do të marrim disa lojtarë të cilët vijnë nga skuadra të mira”, – vijon Behari, teksa thekson se po punohet për të përgatitur lojtarët e për të furnizuar Kombëtaren U-19 edhe me ndihmën e skautëve të FSHF në Europë.

“Sinqerisht duhet të falënderoj punë e mirë që kanë bërë skautët e FSHF në Belgjikë, Itali, Suedi dhe Greqi, sepse na kanë ndihmuar së tepërmi në evidentimin e sa më shumë elementëve që duhen monitoruar nga ana jonë. Janë lojtarë të cilët besoj se duhet t’i vëzhgojmë mirë nga afër për t’i parë nëse do të mund të jenë pjesë e Kombëtares U-19, sigurisht pa lënë mënjanë edhe produktin shqiptar që në masën më të madhe janë vëzhguar rregullisht dhe testuar nëpër seleksionime. Edhe këtë radhë kemi lojtarë të cilët për shkaqe kryesisht të rritjes së tyre mund të jenë pjesë e ekipit Kombëtar U-19 në edicionin e ardhshëm. Ne kemi nisur prej shumë muajsh seleksionimin e talenteve në funksion të furnizimit të Kombëtares U-19, ndërkohë që këto miqësore janë një mundësi të mirë për të provuar disa elementë të zbuluar rishtazi nëpër Europë apo të cilët kanë patur një rritje cilësore të shpejtë”, deklaroi trajneri i Kombëtares U-18.

Testi i parë i skuadrës kuqezi do të zhvillohet në stadiumin “Reshit Rusi” në Shkodër dhe do të nisë në ora 12:00, ndërsa miqësorja e dytë do të luhet në kompleksin e Federatës Malazeze në Podgoricë dy ditë më pas duke nisur nga ora 13:00.

Grumbullimi do të nisë ditën e shtunë dhe ekipi do të përgatitet në Durrës për të udhëtuar drejt Shkodrës për ndeshjen e parë të datës 8 nëntor.