Vendimi për RTV Ora/ Shima: Do të mbajmë linjën editoriale, por sinjali mund të mbyllet nga pushteti

Drejtori i Informacionit në RTV Ora, Brahim Shima në një lidhje për Syri TV tha se do të mbahet linja editoriale pas konfiskimit të RTV Ora, nëse do ta lejojë administrimi shtetëror.

Ai theksoi se ka mundësi që sinjali të mbyllet edhe vetiu, ashtu sikurse ndodhi në të kaluarën me Agon Channel, duke shtuar se pushteti nuk do lajme kritike.

Shima shtoi se është fakt se sot nuk është vetëm RTV Ora në presion, po edhe shumë media të tjera që bëjnë lajme që bien ndesh me pushtetin.

Shima: Ne do të mundohemi që të mbajmë linjën editoriale, që deri në këtë moment e bën Bordi i televizionit, i ngritur disa vite më parë. Sado që të duash të mbash linjë editoriale, sinjali mbyllet edhe vetiu. Do të ishte absurde nëse do të lejohet e njëjta linjë editoriale, sepse për këtë shkak po mbyllet televizioni. Në këto 2 vite nën presion dhe stres, dua të falenderoj të gjithë gazetarët dhe gjithë stafit që ndenjën pas sekuestros, duke u përpjekur aq sa munden nën këtë trysni.

Ne do të përpiqemi që të qëndrojmë, por do të jetë në dorë të administratorëve se si do të jetë. Ne do të përpiqemi të rezistojmë. E gjitha është politike dhe shpresoj që avokatët të kenë një mënyrë për të pezulluar vendimin, për të marrë kohë për procedurat. Në këto 2 vite kemi pasur oferta për tu larguar, por kemi qëndruar deri në fund për të mbrojtur punën që bëjnë prej shumë vitesh.

Shpresoj që presionit politike të mos orientohet me sulme direkte të drejtësisë, që tashmë janë bërë haptazi. Ne kemi fjalën si armë, por pushteti i merr të gjitha armët dhe pushtet, atëherë është e pamundur që të rezistojë një medie. Fakti është se sot nuk është vetëm RTV Ora, po edhe shumë medie të tjera. Nuk besoj që televizionet do të qëndrojnë hapur dhe gazetarët të bëjnë lajme që bien ndesh me pushtetin.