Ishte liruar me kusht, arrestohet 'ufoja' i arratisjeve nga burgu

Ilir Paja është arrestuar pasditen e sotme në Laprakë, për llogari të drejtësisë italiane. I njohur nga kjo e fundit me nofkën “Ufo”, për shkak të dy arratisjeve spektakolare nga burgje të sigurisë së lartë, ai u lirua me kusht nga Gjykata e Krujës në 2017.

Këtë dënim, Paja ka vuajtur për 5 vjet burg për ngjarjen e marsit 2008, kur përplasi me mjetin e tij “Fiat” një punonjës policie gjatë operacionit për arrestimin e tij. Tashmë për të pritet të nisin procedurat e ekstradimit.

lir Paja me heret rezulton i dënuar për një vrasje të kryer në Gjermani. Ndonëse ai u arrestua në Itali, pas disa muajsh dënim, në qershorit 2006, ai ka mundur të arratiset nga paraburgimi i Perugia-s, duke përdorur çarçafët si litar, deri në arrestimin e tij të dytë, më 4 shtator 2006.

Shqiptari ishte burgosur prej 5 muajsh në pritje të ekstradimit nga Gjermania, ku akuzohej për vrasjen e një shqiptari tjetër në Duisburg. Ai u ndalua në Itali dhe ndaj tij u shtua edhe akuza për shfrytëzim prostitucioni.

Por ai ka mundur të ikë sërish nga burgu, në 14 gusht të 2007-ën, ndërsa policia ishte duke e transportuar me ambulancë, për shkak se i dënuari ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe kishte tentuar disa herë vetëvrasjen.

Ai ia ka dalë t’u shpëtojë policëve dhe është larguar me vrap, duke arritur trenin. Pas arratisjes së dytë në Itali, Ilir Paja është kthyer në Tiranë, ku jetonte i fshehur deri në momentin që u arrestua sërish.

Paja u akuzua si autori i vrasjes së një shtetasi nga Ekuadori dhe plagosjes së një tjetri, pas një grindjeje që kishte për motiv ngacmimin e një femre ekuadoriane, në kohën që ajo ishte me bashkëshortin e saj. Një tjetër episod i rëndë, sipas akuzës, ishte ai i dhunimit seksual të një 19-vjeçareje rumune.