Zhulali: Rama pranoi në Berlin se korrupsioni dhe shpopullimi kanë goditur Shqipërinë

Ekspertja e çështjeve ndërkombëtare Ilda Zhulali, deklaroi në emisionin 'Task Force' me Sonila Meçon në Syri Tv se samiti i Procesit të Berlinit uli edhe njëherë flamurin e nismës 'Ballkani i Hapur'.

Zhulali tha se nënshkrimi i tre marrëveshje është arritje e përbashkët ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama pranoi se korrupsioni dhe emigrimi i shqiptarëve kanë goditur Shqipërinë.

"Ky samit që në fillim po të shikoni deklaratën e përbashkët kishte fjalë kyçe. Statusi i barabartë i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ajo që të bën përshtypje është që edhe Kosova, mënyra e formulimit të fjalisë ishte për të theksuar që edhe Kosova është një nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka të njëjtin status si Shqipëria, Serbia dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Elementi i dytë ishte se këto vende mund të arrijnë rezultate nëse punojnë të gjitha së bashku dhe sipas standardeve europiane. Nënshkrimi i tre marrëveshjeve u konsiderua si arritje e përbashkët dhe sukses i këtij samiti.

Vendet pranuan se migracioni, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë problemet kyç sot të Ballkanit veçanërisht pranohet se korrupsioni është gangrenë e shoqërive tona.

Fakti që Rama pranoi ta nënshkruajë këtë deklaratë do të thotë që bie dakord me këto konstatime. Nuk i pranon brenda por jashtë është i detyruar t'i pranojë."-tha Zhulali.

Më tej Ilda Zhulali tha se kryeministri Edi Rama me gjysmë zëri e përmendi Ballkanin e Hapur ndërsa shtoi se marrëveshjet u arritën falë BE-së dhe ndërhyrjes konkrete të Scholz.

“Këto marrëveshje u arritën me presionin e Bashkimit Europian dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Aftësi bindëse që ka në dorë BE dhe konkretisht Gjermania.”-tha Zhulali.