Banorët e Bërxullës dalin në protestë: Edhe 100 mln të më japin unë nuk e jap tokën

 Banorët e Bërxullës kanë dalë në protestë për mbrojtjen e tokave dhe pronave që u preken nga projekti i autostradës Thumanë-Kashar. Duke folur për mediat, ata kanë theksuar se ky projekt përveç tokave bujqësore u rrezikon edhe banesat. 

Ata janë mbledhur në zonat ku është nisur puna nga fadromat ndërkohë që kanë deklaruar se për dëmin që po u shkaktohet duan dëmshpërblim. Banorët shprehen se nuk do të ndalin protestat derisa institucionet të reagojnë dhe t’u ofrojnë zgjidhje.

"Skemi rënë dakord. Vetëm për pjesën që do të shprenzohet. Nuk kemi marrë asnjë shpërblim, as me letër as kemi firmosur gjë. Unë edhe 100 milion lekët të më kishin dhënë unë nuk e jepja këtë tokë," tha një banor.

"Do të ketë shërbim 24 orë deri sa të dalë ana e ligjshmërisë. Ne do të na ketë këtu 24 orë. Do të protesojmë pa ndaluar deri sa të ketë një marrëveshje të saktë. Këta kërkojnë votë e ne ja japim, po ja japim me mirëbesim," tha një tjetër banor.

Janë rreth 200 banorë të Fushë-Prezës dhe Bërxullës, të cilët preken nga shkatërrimi i pronave dhe tokave bujqësore. Një pjesë e këtyre banesave ende janë në proces legalizimi, ndërsa për tokat bujqësore kanë çertifikatë pronësie.