Vrasja e Kudret Saliajt nga vjehrri dhe gruaja, gjykata i jep kujdestarinë e fëmijëve xhaxhait

Vëllai i Kudret Saliaj i cili u ekzekutua nga vjehrri Mexhit Picari në bashkëpunim me të bijën Dhurata Saliaj, merr kujdestarinë e 3 fëmijëve të mitur të cilët mbetën pa të dy prindërit, për shkak të vrasjes së babait dhe burgosjes së nënës.

Vendimi u mor nga gjykata e Tiranës, e cila pranoi padinë e xhaxhait të fëmijëve, dy djemve dhe një vajze, të gjithë të mitur.

Gjatë procesit pretendime për kujdestarinë ngriti edhe daja i fëmijëve, fakt që u kundërshtua nga familja Saliaj, por më pas ai u tërhoq dhe zyrtarisht nuk paraqiti padi në gjykatë.

Çifti Dhurata e Kudret Saliaj, ishin në proces divorci për shkak se kishin mosmarrëveshje, kur ndodhi krimi i rëndë në muajin qershor të vitit të kaluar.

Ai mbërriti në një lokal pranë gjykatës së Tiranës, ku priste të zhvillohej seanca e radhës për divorcin dhe ndodhej në praninë e avokatit të tij si dhe një punonjëseje sociale.

Vjehrri i tij Mexhit Picari pasi e vëzhgoi bashkë me të bijën Dhurata Saliaj, e qëlloi për vdekje dhëndrin, në ngjarje mbeti i plagosur edhe avokati Adriatik Cami.

Prokuroria thotë se babë e bijë organizuan në bashkëpunim krimin e rëndë. Të dy janë duke u përballur me gjykatën e Tiranës për akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare.

Të enjten ishte planifikuar të zhvillohej seanca e radhës ndaj tyre, por u shty për shkak të mungesës së avokatëve të të pandehurve.