Çështja e targave, Sadiku: Shpresojmë për marrëveshje gjithëpërfshirëse që të normalizohet situata

Asambleisti Skënder Sadiku komentoi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv tensionet në veri të Kosovës pas zbatimit të vendimit për targat. Sadiku tha se në Mitrovicë situata është e stabilizuar ndërsa shpreson të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

"Një marrëveshje do ta normalizonte situatën dhe do ndihmonte popullatën në komunat veriore të Kosovës. Jemi të lodhur, distancë e madhe kohore. Ka ardhur koha tani, dhe jemi të ngopur me mentalitetin ballkanik të luajmë heroin dhe viktimat. Kërkojmë të jemi të barabartë."-tha Sadiku.

Më tej Sadiku deklaroi se kanë arritur një marrëveshje për qytetarët e Kosovës që kanë qenë të izoluar nga shtetet ballkanike dhe të Europës, ndërsa tha se është mundësuar lëvizja e lirë në mbarë shtetet.

"Shpresoj se deri më 21 do gjendet një zgjidhje. S'kemi telashe. Shpresoj që me qortimet të gjendet një zgjidhje që të jetë në favor të qytetarëve. Politikanët duhet të jenë vigjilentë dhe ti jepet hapësirë qytetarëve që të jetojnë normalisht, flas si asambleist në komunën veriore të Mitrovicës."-tha Sadiku.