'Drejtësia të veprojë mbi vajzën tonë'/ Babai i Aurona Pelajt i kërkon falje publike familjes së të moshuarës

Babai i infermieres, Aurona Pela, Naim Pelaj, ka reaguar në lidhje me veprimin e së bijës e cila dhunoi një të moshuar në shtëpinë e pleqve në Pejë. Në një reagim që ka bërë për mediat e Kosovës, Pelaj ka kërkuar falje publike.

I ati i infermieres është shprehur se familjes Nura i janë borxhlinj moralisht dhe shpirtërisht gjithë jetës për tragjedinë shpirtërore që u ka shkaktuar vajza e tyre.

“E dashura familje e nënës së dëshmorit të lirisë, Taulant Nura, që falë gjakut të tij ne sot e gëzojmë lirinë, duam të ndajmë dhimbjen me ju dhe ndjejmë me ju nga thellësia e shpirtit tonë për lëndimin qe ju ka shkaktuar vajza jonë. E di që po kaloni momente të rënda, por na lejoni që t’ju kërkojmë falje publike në emër të familjes sime Pelaj, nga Novosella e Pejës, juve familja Nura dhe mbarë popullit shqiptar. Dashtë Zoti që ky rast të mos përsëritet më dhe ju jemi borxhli moralisht dhe shpirtërisht gjithë jetën juve, familjes Nura nga Gjakova, për tragjedinë shpirtërore që ju shkaktoi vajza jonë” ka thënë Pelaj për Klan Kosovën.

Pelaj ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të veprojnë sipas ligjit për rastin në fjalë.

“Gjithashtu, në rastin e vajzës sonë, kërkojmë nga organet e rendit që të veprojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës për veprat, për të cilat e ngarkojnë",është shprehur ai.