VIDEO-SYRI TV/ Banorët e Bërxullës vijojnë protestat, kërkojnë dëmshpërblim real për tokat e tyre

Banorët e Bërxullës kanë vijuar protestat për mbrojtjen e tokave dhe pronave që u preken nga projekti i autostradës Thumanë-Kashar.

Ata kërkojnë tarifë më të lartë dëmshpërblimi, ndërsa theksojnë se do të ndjekin rrugët ligjore për të fituar të drejtën e tyre.

Këtë të enjte banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë për projektin e autostradës Thumanë - Kashar që u rrezikon banesat dhe tokat bujqësore. Ata u mblodhën pranë njërës prej zonave ku fadromat kanë nisur punën, ndërsa vetë pronari i tokës pohoi se nuk është marrë miratimi i tij për këto ndërhyrje.

Pas protestës së një dite më parë pranë bashkisë së Vorës, janë marrë masa që në zonë të vendosen efektivë të policisë bashkiake, në mënyrë që fadromat përkohësisht të mos kryejnë punime.

Banorët shprehen se nuk do të ndalin protestat derisa institucionet të reagojnë dhe t’u ofrojnë zgjidhje.