Borrell takim me Kurtin në Berlin: Djegia e makinave e papranueshme, marrëveshjet duhet të respektohen

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i ka quajtur të papranueshme veprimet përçarëse në Kosovë, si djegia e makinave të serbëve të cilët i kanë konvertuar targat ilegale në RKS.

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin në Berlin, Borrell ka thënë me anë të një postimi në Twitter se marrëveshjet e dialogut Kosovë-Serbi, duhet të respektohen.

“Më vjen mirë që takova kryeministrin Albin Kurti përpara Procesit të Berlinit. Diskutuam për situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, si djegia e makinave, janë të papranueshme. Marrëveshjet e dialogut duhet të respektohen”, ka shkruar Borrell.

Ai ka bërë thirrje më tej që “të gjithë të veprojnë të përmbajtur”.

 “Diskutuam gjithashtu rrugën përpara për normalizimin”, ka përfunduar ai.

Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, Kurti ka thënë se nëpërmjet shkallëzimit në tre etapa, Qeveria e Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.