Mustafaj: Pedagogët t'i shkojnë grevës deri në fund! Rama shkatërron arsimin për të shpopulluar vendin

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Andi Mustafaj, komentoi në edicionin e orës 19:00 me Juli Krisafin në Syri Tv paralajmërimin e pedagogëve për grevë urie nëse qeveria nuk plotëson kërkesat e tyre. Andi Mustafaj tha se kryeministri Edi Rama përçmon dhe ul pedagogët.

"Beteja e pedagogëve është shumë e madhe. Ajo që e ndihmon kryeministrin është apatia e njerëzve, mosreagimi i tyre përpara çështjeve që janë thelbësore për vendin. Prej 9 vitesh kemi një degradim të sistemit arsimor dhe në veçanti atij universitar.

Ky sistem është çelësi. Pedagogët janë urë lidhëse midis të shkuarës dhe së ardhmes. Përgatisin brezin e ri. Pedagogët kanë rol thelbësor. Ramës i intereson që sistemi arsimor të jetë i dobët, që njerëzit të ikin. Një komb pa dituri, pa njohje, pa brez të trajnuar, është komb i brishtë dhe manipulohet lehtësisht nga propaganda që ai tashmë e mjeshtëron për fat të keq.

Fatkeqësisht shumë prej personave që kanë bërë protesta s'kanë nxjerrë mësime nga shkatërrimet e kauzave që ka bërë Rama. Ai kauzat i ka shkatërruar dhe nuk i ka dhënë zgjidhje problemit. Kemi një kryeministër pa ide mbi arsimin dhe ekselencë, siç ëshë kryeministër pa ide në shumë fusha të tjera."-deklaroi Mustafaj.

Më tej Mustafaj deklaroi se Edi Rama gjithnjë kërkon të shkatërrojë protestat ndërsa shtoi se një nga gjërat që s'është provuar është çuarja e grevës së urisë në ekstrem.

"Për të treguar që njerëzit nuk thyhen nga manipulime të kryeministrit, përçmimi e çdo sanskion që ai mund të bëjë ndaj protestuesve. Greva e urisë, qoftë dhe dy persona ta bëjnë, është e rëndë. Shkojnë në ekstrem për të mbrojtur një kauzë të përgjithshme, se nga kjo kauzë përfitojnë të gjithë pedagogët dhe Shqipëria. Mbështes nëse ata shkojnë deri në atë pikë. Qytetarët duhet ta mbështesin këtë protestë."-tha Mustafaj.