Biberaj: Ndaj Veliajt garë e vështirë, por Tiranën do e fitojë PD-ja

Anëtari i Këshllit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj thotë se gara ndaj kryebashkiakut, Erion Veliajt do të jetë e vështirë, por se Tiranën do ta fitojë Partia Demokratike.

Në një intervistë për Euronews Albania, Biberaj u shpreh se Veliaj e pastron paratë e organizatave kriminale dhe shtoi se është i tej konsumuar.

“Unë them që është garë e vështirë, shumë e vështirë, por nga ana tjetër është shumë e mundur për t’u fituar. Erion Veliaj vjen në këtë fushatë me një bilanc tepër negativ, inkriminimi. Ai nuk drejton një bashki, por një grup të strukturuar kriminal. Këtu po pastrohen paratë e Ndragheta-s dhe shumë organizatave kriminale.

Unë kam bindjen dhe garancinë që ne do ta fitojmë garën për Bashkinë e Tiranës. Është i tej konsumuar, duket sikur ka pushtetu sepse ka para, por qytetarët e Tiranës, mendoj që do t’i tregojnë vendin, do të reagojnë”, theksoi ai.

Partia Demokratike do të shkojë e përçarë në zgjedhjet e ardhshme vendore që do të zhvillohen më 14 maj të vitit të ardhshëm.

Edhe pse prej disa kohësh filluan bisedimet mes dy palëve për të dalë me kandidat të përbashkët, negociatat dështuan.

Përmes një njoftimi, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka deklaruar se pala tjetër ka vendosur si kusht gjatë bisedimeve, që të njihet “Statuti i 11 Dhjetorit”, çka sipas tyre, ka minuar bisedimet për të gjetur zgjidhje për zgjedhjet.