Paloka: Përjashtova kushtet, grupi i Alibeajt i paqartë! Qëllimi i bisedimeve, kandidati i përbashkët

Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, komentoi për emisionin 'Task Force' në Syri Tv braktisjen e tryezës së bisedimeve nga grupi i Enkelejd Alibeajt.

"Po ju bëj një kronikë të shkurtër të bisedimeve. Nuk nisën me zotin bardhi. Bisedime të nisura më parë. Unë personalisht kam qenë gjithë kohës i investuar në përpjekjet për të bërë një bashkim të atij grupi të vogël që kishte ngelur jashtë deputetësh për ta afruar tek PD. Gjithë kohës jam investuar.

Kam biseduar me kolegët, deputetët e grupit tjetër, dhe bisedimet e fundit ishin rrjedhojë e përpjekjeve të vazhdueshme që kam bërë. Kam pasur dëshirën reale që përçarja mes nesh të mos vazhdonte."-tha Paloka.

Edi Paloka tha se gjatë bisedimeve kanë rënë dakord që primaret janë diçka që s’mund të preken. Sipas tij, qëllimi i vetëm i bisedimeve ishte dalja e PD-së me një kandidat të përbashkët në zgjedhje dhe se ka përjashtuar çdo kusht.

“Vota e anëtarësisë është flamuri që Berisha ka marrë, iniciativa e guximshme që Berisha ka marrë. Duhet të bëjmë më të mirën që kjo të ketë sukses, të respektohet vullneti i tyre. Primaret nuk duhet të cënoheshin.

Dhe kur thamë të hyjmë në bisedime pa kushte bëhej fjalë për të diskutuar modalitetet, si të arrinim atë që ishte qëllimi i bisedimeve. Qëllimi i vetëm për momentin ishte dalja me një kandidat të përbashkët të PD-së.

Përjashtuam çdo kusht tjetër. Deri në 2-3 ditët e fundit tek Gazement Bardhi s’kam vërejtur hile apo dëshirë për të penguar. Kemi folur hapur. Ai ka pasur vullnet për të arritur marrëveshje. Por brenda atij grupi ka edhe deputetë të tjerë.”-tha Paloka.