Edmond Haxhinasto zgjidhet kryetar i Komitetit Drejtues në PL: T'i përgjigjemi emergjencës kombëtare

Komiteti Drejtues Kombëtar i Partisë së Lirisë është mbledhur pasditen e kësaj të mërkure. Burime bëjnë me dije se Edmond Haxhinasto është zgjedhur kryetar i Komitetit Drejtues Kombëtar. Ndërkohë në votim do të shkojnë zgjedhjet për Zëvendëskryetarin, Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët dhe Kryesinë e re.

“Ju falënderoj për besimin dhe të gjithë ju kolegëve. E shoh me shumë përgjegjësi këtë detyrë. Jam përpara jush që jeni një ekip shumë i fortë edhe në aspektin politik dhe atë profesional.

Do të përpiqemi të gjithë bashkë të arrijmë rezultate të duhura. Ka disa objektiva, kauza madhore që vijnë si një emergjencë kombëtare. Do të doja t’ju thoja se si Parti e Lirisë kryetari e ka bërë të qartë se liria qëndron në të gjithë funksionimin tonë.

Duhet të kemi solidaritet, jo vetëm mes nesh për me të gjithë ata anëtarë të thjeshtë dhe qytetarët që të gjithë duan respekt, përkushtim ndaj tyre, dhe duan t'i trajtojnë me fytyrë humane.

Është me rëndësi edhe Referendumi, mendimi i lirë, kontributet e lira dhe do t’ju ftoja të jeni aktiv në programin tonë.”-ka thënë ndër të tjera ai.