Vendimi për targat/ Deputetja e Kosovës: Jemi në kontakt me SHBA-të! Po kthejmë ligjshmërinë

Deputetja Fitore Pacolli, komentoi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv zbatimin e vendimit për targat në Kosovë. Fitore Pacolli tha gjatë 24 orëve të fundit nuk ka pasur tensione përveç djegies së një veture në territorin e Kosovës.

"Situata është e qetë. Presim që në vijim qytetarët serb që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës të fillonë konvertimin e targave. Shteti i Kosovës i ka ofruar mundësinë çdo qytetari që të udhëtojë lirshëm me targat legale në këtë shtet."-tha Pacolli.

Për kundërshtimin e SHBA-ve që kërkuan shtyrje të vendimit, Pacolli deklaroi se kanë kontakte të vazhdueshme me aleatët ndërkombëtarë dhe ua kanë bërë me dije atë që kanë ndërmarrë. Sipas deputetes, po kërkojnë vetëm kthimin e ligjshmërisë dhe askush s’ka dyshime se po veprohet në paligjshmëri.

“Kemi dakorduar që këto kanë qenë vendimet që janë marrë dhe i kemi ndarë me SHBA-të dhe ambasadorin. Askush s’ka dilema çfarë po bëjmë, gjithçka e ligjshme, duam të kthejmë ligjshmërinë dhe SHBA-të e BE pajtohen me këtë.

Kemi marrë të gjitha masat. Kemi investuar në kapacitete teknike. Nuk e kemi parë të arsyeshme për të shtyrë vendimin. Janë tre faza, në pjesën e dytë përfshin dhe gjobat, presim që mos të vendosim fare. Brenda këtyre 20 ditëve shpresojmë që serbët do konvertojnë targat. I kemi marrë të gjitha masat.”-tha Pacolli.