VIDEO/ Njihuni me kërcimtarët e vegjël të getove të Ugandës, që po pushtojnë botën

Emisioni “Scenes” hedh dritë dhe çon në qendër të vëmendjes të rinjtë në mbarë botën që po thyejnë barrierat dhe po bëjnë ndryshime.

Vallëzimi është një gjuhë universale; ai frymëzon njerëz të të gjitha moshave dhe prejardhjeve. Fuqia e kërcimit mund të sjellë dashuri dhe inkurajim për komunitetet, duke krijuar një botë më të mirë dhe më të gjallë.

Fëmijët e getos

Triplet Ghetto Kids”është një grup kërcimi dhe organizatë me qendër në Kampala të Ugandës. Kavuma Dauda e themeloi atë me misionin e vetëm për të siguruar strehim, kujdes shëndetësor, ushqim dhe arsim për fëmijët që nuk kishin mundësira.

"Misioni është që ta bëj jetën më të mirë përmes kërcimit. Ky është qëllimi ynë. Ne po ndihmojmë fëmijët e pafavorizuar, jetimët dhe fëmijët e rrugës. Ne përdorim kërcimin për t'ua bërë jetën më të mirë," thotë Kavuma për “Scenes”.

"Kur kërcen, harron se nuk ke ngrënë. Kur kërcen, harron se ke humbur dikë. Harron gjithçka. Përqendrohesh te kërcimi", thotë ai.

Frymëzimi i Kavumës

Kavuma e përdor kërcimin për t'i inkurajuar fëmijët të kënaqen, por qëllimi i tij kryesor është t'u sigurojë atyre një edukim në mënyrë që ata të kenë një të ardhme më të mirë.

Një i huaj e financoi arsimin e tij kur ishte djalë i ri dhe nuk kishte mundësi të shkonte në shkollë. Ai i bëri një betim vetes se nëse do të ishte ndonjëherë në gjendje, do t’i ndihmonte të tjerët, në shenjë mirënjohjeje për të huajin që e përkrahu atë.

Historia e vetë Kavumës mund të jetë ajo e cilitdo prej fëmijëve që ai udhëzon.

Babai i tij ndërroi jetë kur ai ishte shumë i vogël dhe familja e tij kishte vështirësi për t'ia dalë mbanë. Ata nuk kishin mundësi të paguanin tarifat e shkollës, kështu që ai e kalonte kohën e tij duke luajtur futboll në rrugë.

Atëhere një trajner futbolli shkolle e vuri re Kavumën duke luajtur në rrugë dhe i ofroi një shans për një jetë më të mirë.

"Më tha nëse të jap një mundësi, a do të ktheheshe në shkollë? Unë i thashë po, këtë dua shumë. Kështu që nga ajo ditë i premtova vetes që kur të rritesha, të paktën do të ndihmoja një fëmijë”, thotë Kavuma.

Krijimi i mundësisë për një jetë tjetër

Shumë nga fëmijët në grupin e kërcimit identifikohen me traumën dhe varfërinë. Anëtarja e grupit “Triplets Ghetto Kids”,  Nabakooza Patricia ka pesë vëllezër e motra dhe prindërit e saj nuk kishin mundësi t'i dërgonin të gjithë në shkollë.

Vëllezërit e motrat i ndiqnin mësimet me radhë dhe shpesh s’e ndiqnin dot shkollën për periudha të gjata kohore kur mbaronin paratë.

"Ne e donim shkollën. Por atëherë mundeshim” shpjegon Patricia.

Tashmë 18 vjeçe dhe maturante në shkollën e mesme, grupi i kërcimit TGK ia ndryshoi jetën e Patricias. Ndërsa mësuesi i saj i kërcimit, Kavuma vuri re se ajo mungonte shpesh, ai i kërkoi të dinte pse. Kur mësoi për gjendjen e saj financiare, i bëri një pyetje.

"Patricia, a të pëlqen shkolla?"

"Po," u përgjigj ajo.

Të nesërmen, ai e prezantoi atë me grupin “ Triplet Ghetto Kids”. Ai i tha Patricias se nëse ajo do të qëndronte pjesë e grupit, tarifat e shkollës, rrobat dhe ushqimi do të siguroheshin të gjitha. Pjesa e saj e marrëveshjes ishte të vazhdonte të kërcente. Patricia nuk hoqi dorë më.

Nga rrugët - në skenën botërore

Grupi i kërcimit “Triplets Ghetto Kids” bëri më shumë sesa u dha këtyre fëmijëve një platformë dhe një edukim; i ndihmoi ata të bëheshin yje ndërkombëtarë.

Grupi filmoi videot e tyre të kërcimit dhe i ngarkoi ato në YouTube. Në vitin 2013, një nga këto video, kopertina e tyre e kërcimit e këngës Sytia Loss e Eddy Kenzo, ishte në trend në YouTube dhe mediat sociale.

“Ndërsa punonim për atë video, nuk e dinim se do të bëhej virale, sepse në atë kohë, nuk e dinim se çfarë do të thoshte fjala virale”, thotë 20-vjeçari Ronald Santiago, një anëtar i “Triplet Ghetto Kids” .

Që atëherë, ata u bënë një sensacion ndërkombëtar. Ata janë shfaqur në një talk shoë në SHBA dhe janë intervistuar nga prezantuesi Jimmy Fallon. Ata kanë performuar edhe me këngëtarin French Montana dhe kanë shëtitur botën.

Familje e zgjedhur

Grupi TGK tha se të jesh në një familje është një nga gjërat më të mira për të qenë në një grup. Ata e shohin Kavumën si një figurë babai, një mentor- dhe anëtarët e grupit si vëllezërit e motrat dhe të besuarit e tyre.

"Kavuma më shpëtoi nga koha e vështirë që po kaloja. Dhe jo vetëm mua, por të gjithë ata që janë në fëmijët e Triplets Ghetto. Ai është një baba, që na rriti," thotë Patricia.