Sa kushtuan 9 vite dashuri Rama-media?

Po afrojnë zgjedhjet lokale dhe Edi Ramës i duhen urgjentisht armiq. Meqë pushtetin qendror dhe lokal e ka tërësisht Partia Socialiste, ai nuk ka ku të kanalizojë shqetësimet, zhgënjimet apo mllefet e njerëzve. Nuk mund t’ia faturojë mosarritjet, dështimet apo punët e këqija askujt, sepse nuk i ka lënë asnjë dimension pushteti ndonjë partie tjetër, qoftë ajo partnere apo opozitare. Ky është një nga aspektet negative të marrjes së timonit krejtësisht në dorë - sepse duke lakmuar mbajtjen e meritave vetëm për vete (me ëndrrën për të hyrë në histori), ai harroi kufizimet e kontingjencat e Shqipërisë, të cilat patjetër se do ta konsumonin dhe e kanë konsumuar në të shkuarën secilin politikan që nuk dëshiron të ndajë pushtet.

Në stres e sipër, Rama ka kuptuar se nuk mund t’i ecë më loja e zakonshme, që luhet sa herë ka zgjedhje në 30 vitet e fundit: ajo e fajësimit të opozitës për dështimin e qeverisë. Opozita aktuale jo vetëm që nuk ka pushtet askund, sepse bojkotoi edhe zgjedhjet lokale, por është dhe e përçarë në grupin e saj parlamentar, duke kaluar përmes vështirësive organizative. Rama e ka kuptuar se çdo goditje që i bën pushteti kësaj opozite, vetëm sa e ndihmon atë të viktimizohet e vetëm sa e rrit imazhin abuziv të Ramës. Shqiptarët, për vetë historinë e tyre kombëtare, shoqërore apo individuale, më lehtë e kanë ta shohin veten në rolin e viktimës se sa të abuzuesit, prandaj sa herë që Rama e bën opozitën të duket viktimë dhe veten abuzues, aq më shumë humb mbështetje te radhët e jo-militantëve. E sidomos në zgjedhjet lokale, janë jo-militantët, “elektorati gri”, ata që përcaktojnë kush fiton.

Në një situatë të tillë Ramës i duhet një armik pak më i fortë, me pushtet real, i cili edhe po u godit prej qeverisë, nuk duket viktimë. Siç duket e ka evidentuar një armik të tillë tek Top Channel, një televizion privat me licensë kombëtare e me impakt të gjerë ekonomik e opinionformues (edhe pse në rënie).

Rama i tregoi publikut një kërkesë që Top Ch. ia paska drejtuar institucioneve publike duke kërkuar rreth 100.000 euro për realizimin e 50 emisioneve promovuese për një program qeveritar të rehabilitimit të fshatrave dhe mbështetjes së agroturizmit. Sipas Ramës, mospërmbushja e kësaj kërkese ka sjellë rritjen e kritikave nga televizioni, gjë që do të thotë se kjo media po shantazhon qeverinë.

Mirëpo Rama padashje ka ekspozuar vetveten. Kanakar i shumicës së mediave për 9 vite me radhë, ai i paska treguar publikut se dashuria e medias me të, kushton. Portretizimi rozë, me shkëlqim e xixa, i shumëçkaje që bën qeveria e tij, paska patur shumë fatura si këto. Të gjithë e dinë se kjo kërkesë që paska bërë Top Ch. nuk është e vetmja, e as nuk i bën vetëm ky kanal.

Rama si “histori suksesi” është thjesht produkt mediatik. Ky produkt mediatik është paguar me leje ndërtimi, licenca biznesesh jo gjithnjë të rregullta (si ato të industrisë së përpunimit dhe asgjësimit të mbeturinave), koncesione, partneritete publiko-private që dobësojnë publikun dhe vjedhin privatin.

Rama ka treguar vetëm një faturë të vogël, rreth 2000 euro për emision, që është vërtet pak e shumë nën koston e produksionit televiziv. Mirëpo duke dashur të tregojë se mediat po përpiqen ta shantazhojnë, ai ka zbuluar majën e një ajsbergu të madh. Është ajsbergu i marrëdhënies ilegjitime të qeverisë me median, që ka varfëruar qytetarët dhe shtetin, e ka pasuruar Ramën dhe pronarët e mediave. Rama është duke u dhënë mediave sinjalin: “Mos guxoni të më rrëzoni, sepse rrëzohemi bashkë. Ju më shantazhoni, por dhe unë ju shantazhoj. We are in this together”.

Ndërsa popullit po përpiqet t’i ushqejë idenë se, edhe pse ai e ka pushtetin tërësisht në dorë prej tre mandatesh, për dështimet e ka fajin “armiku i brendshëm” që nuk është opozita, por dashnorja e tij, media.