‘Vrasja e Nezir dhe Gentian Beqirit’/ Shtyhet seanca gjyqësore ndaj Ardian Çapajt

Pavarësisht se ishte vetë ai që kishte kërkuar të pyetej në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, Ardian Çapja nuk u paraqit në seancë.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 9 nëntor në ora 12:00 në ngarkim të Çapajt, Etien Canit, Klajdi Dokolit, Florenc Çapjas dhe Olsi Lekut.

Shkak për dështimin e seancës u bë mungesa e Ardian Çapjas i cili kishte për të dhënë deklarime në kuadër të dëshmitarëve të kërkuar nga mbrojtja.

Çapja kishte dërguar në Gjykatë para nisjes së seancës, shtyrjen e saj me argumentin se është sëmurë.

Të pandehurit akuzohen për vrasjen e babë e bir Nezir dhe Gentian Beqirit.

Urdhrat e arrestimit të Ardjan dhe Florenc Çapjas janë lëshuar nga prokuroria me akuzën e porositjes së vrasjes së Gentian Beqirit në gusht të vitit 2012. Ky i fundit akuzohej se në bashkëpunim me të tjerë kishte ekzekutuar Sokol Çapjan në dhjetor të vitit 2005 në Elbasan.

Arrestimi i vëllait të madh të Çapajve është bërë pas dëshmisë së dhënë një vit më parë nga i penduari i drejtësisë Ervis Bardhi, i cili ka pranuar se kishte qenë ai që tërhoqi këmbëzën e armës që vrau në gjumë Gentjan Beqirin.