INTERVISTA/ Bogdani: Priten edhe 'kandidatë të pavarur' si paterica

“E kam thënë prej kohësh, nuk duhet të flitet për emra të përveçëm, nuk duhet të flitet për ngjyra bardh e blu, duhet të flitet për ngjyra kuq e zi”.

"Unë besoj se në këto zgjedhjet e ardhshme do të ketë disa kandidatë të pavarur, sepse e vetmja mënyrë se si Veliaj mund të qëndrojë në pushtet, Rama mund të qëndrojë në pushtet, është duke futur “paterica” të tilla."

Një natë pasi Grupimi i Enkelejd Alibeajt brenda PD-së vendosi të dalë me kandidat më vete në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, moderatori i “Kafe Shqeto” në SYRI TV, Flavio Qarri, nxitoi të pyesë sot Gerti Bogdanin, kandidatin e primareve brenda PD-së për zgjedhjet lokale, se si e ka pritur këtë vendim, si e gjykon këtë lëvizje. Z. Bogdani e analizoi situatën me gjakftohtësi, duke argumentuar me kujdes përballë Flavios që arriti deri atje sa ta pyeste “pse s’u thoni qërohuni”.

Ndiqni një pjesë nga intervista midis tyre:

Flavio: Çfarë bëri dje z.Alibeaj dhe pse mbajti atë qëndrim?

Bogdani: Ka një gjë. Kur ulesh të negociosh dhe të diskutosh marrëveshje, nëse qëllimi është interesi i individit, interesi personal dhe nuk është interesi i qytetarit, pa diskutim që do të mbërrish në këto situata si dita e djeshme. Pra, për sa kohë bëhet fjalë për interesa individësh, interesa personale, nuk ka sesi të ketë marrëveshje dhe vazhdim përpara. Ajo që është e rëndësishme është se duhet vënë interesi i qytetarëve përpara. Unë e kam thënë dhe më parë, e kam thënë prej kohësh, nuk duhet të flitet për emra të përveçëm, nuk duhet të flitet për ngjyra bardh e blu, duhet të flitet për ngjyra kuq e zi, se kjo sot nuk dëmton vetëm demokratët, po dëmton qytetarët shqiptarë, se demokratët dhe shqiptarët sot kanë nevojë për shpresë. U konvergojnë interesat, kanë nevojë për shpresë, kanë nevojë për ndryshim. Unë do të thosha se kjo e dëmton fushatën e ardhshme, por jam i bindur se demokratët në bazë, anëtarësia e PD-së, janë të bashkuar dhe do të jenë të bashkuar në fushatën elektorale.

Flavio: Duket sikur për ju dhe zotin Këlliçi ka ndodhur kjo “ndarja përfundimtare”.  Ka pasur baza ose të paktën ata qytetarë më të cilët përpiqemi të komunikojmë në këtë emision, kanë qenë gjithmonë më të qartë se politika e madhe, se duhej ndarë që në fillim nga grupi i Alibeajt dhe Bardhi e Basha. Në këtë moment ky është një lajm i mirë apo një lajm i keq për potencialin elektoral të PD-së?

Bogdani: Në radhë të parë nuk e kuptoj nga mendoni që kam thënë që ka ndodhur përfundimisht ndarja. Për mendimin tim nuk ka...

Flavio: S’ka mbaruar asgjë për mendimin tuaj?

Bogdani: Po s’ka mbaruar. Dhe për mendimin tim e siç e thashë, kohë ka gjithmonë! Ajo që është e rëndësishme është baza poshtë, demokratët poshtë dhe po thosha, para pyetjes suaj, që demokratët, jam i bindur, në fushatën e ardhshme elektorale do të jenë bashkë, pavarësisht se çfarë ndodh në nivelet e larta.

Flavio: Edhe pse ka dalë me kandidat?

Bogdani: Ajo e dëmshme është sidoqoftë. 6 Marsi është i treguar, i provuar kështu që nuk është se sjell ndonjë gjë të mirë, dalja me një kandidat. Këtë e kemi të provuar në Tiranë dhe në qytete të tjera kur ke pasur kandidatë nga e majta dhe kur ke pasur edhe kandidatë ekstra nga e djathta. Rasti i zotit Halim Kosova: kishte dy kandidatë të pavarur që kandidonin përballë tij dhe Veliajt e që i merrnin zotit Kosova, vota. Kështu që kjo nuk është një gjë e mirë. Unë besoj se në këto zgjedhjet e ardhshme do të ketë disa kandidatë të pavarur, sepse e vetmja mënyrë se si Veliaj mund të qëndrojë në pushtet, Rama mund të qëndrojë në pushtet, është duke futur “paterica” të tilla.

Flavio: Përçarje.

Bodgani: Jo thjesht përçarje. Unë besoj se demokratët do të jenë bashkë, qytetarët do të jenë bashkë, por sidoqoftë, për të marrë një numër të vogël votash, do të fusin “paterica” të tilla për ta mbajtur veten në këmbë. Po në fund të ditës, ajo që është e rëndësishme, është që demokratët në bazë të jenë bashkë dhe demokratët të jenë bashkë me qytetarët shqiptarë duke filluar nga Tirana dhe pastaj në çdo qytet. Por kjo varet në mënyrë absolute nga kandidati me të cilin ne do t’i shkojmë përballë këtyre demokratëve dhe këtyre qytetarëve.

Ola: Z.Alibeaj është shprehur dje se kjo ishte e vetmja mundësi për t’u përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale. Si e komentoni ju këtë?

Bogdani: Në fushatë elektorale duhet shkuar bashkë. Unë jam dakord me pjesën më të madhe të asaj që thotë z. Kasmi, por sidoqoftë nuk jam dakord me një pjesë. Në terren kjo e dëmton PD-në dhe kandidatët e PD-së sepse çdo çarje sado e vogël të jetë, nuk është diçka pozitive, sepse të jep një sinjal negativ.

“Sa do e dëmtojë? Sa e rikuperueshme është?” Kjo është për t’u parë dhe për t’u diskutuar dhe do të varet shumë nga fushata elektorale që do të zhvillohet, por do të jetë një energji e çuar, nuk do të thosha “dëm”, por e çuar në këtë drejtim, ndërkohë që mund të ishte një energji e çuar kundërshtarit politik, Veliajt në Tiranë apo kujtdo qoftë në qytete e tjera. Ndaj sa më të bashkuar të jemi në fushatë elektorale, aq më të fortë jemi. Megjithatë unë besoj se do të ketë një front të gjerë opozitar në këto zgjedhjet e ardhshme, partitë parlamentare dhe jo parlamentare ose pjesa dërrmuese e tyre do të jenë në një anë të fushatës elektorale dhe do të jenë krah për krah kandidatit të PD-së në këtë rast dhe kjo sidoqoftë nuk është e mjaftueshme.

Duhet që në këtë krah të jenë edhe qytetarët e Tiranës për të arritur atë mazhorancë që është e nevojshme për të sjellë ndryshimin. Këtu bëhet fjalë jo thjesht për të hequr një kandidat bashkie socialist e për të vendosur një të djathtë, por për të ndryshuar konceptin e qeverisjes në qytet: nga një keqqeverisje që nuk e vret mendjen për qytetarët, në një mirëqeverisje që i ka prioritet qytetarët, që i respekton qytetarët.

Sot Tirana është një qytet që nuk i respekton qytetarët. Administrata e bashkisë nuk i respekton qytetarët.  Duhet t’i rikthehet dinjitetit, qytetarëve të Tiranës. Sot Tirana me banorët e vet është një qytet që nuk ka mirëqënie, sepse harxhojnë kohë në trafik, taksat, parkimi, uji dhe të gjitha me radhë. Duhet që modeli i ri të rikthejë mirëqenien e qytetarëve të Tiranë. Sot në Tiranë ndërtohet me një vizion shumë të ngushtë, çdo gjë bëhet me një vizion shumë të ngushtë “sot për sot”. Duhet t’i kthehet perspektiva qytetit, diçka që të bësh për të ardhmen. Kjo është ajo që është në fushatën e ardhshme dhe këtë e sjell një koalicion i gjerë, por një koalicion që ka në krah qytetarët dhe që është krah për krah me qytetarët.

Flavio: Z. Alibeaj dhe grupi i tij presin ose, disa analistë mendojnë se e ata e kanë xhep vulën në xhep nga gjykata, iu është premtuar me sa duket paraprakisht që do ta marrin dhe prandaj dhe kanë bërë këtë "skizmën" dje. A mos ndoshta do të ishte më mirë, që të gjithë ata që për Statut të partisë njohin atë të 11 Dhjetorit, të mos kenë më pritshmëri ndaj ky grup? Pse mendoni që është e nevojshme që edhe ato 2,5 apo 10 vota që ka grupi i Alibeajt dhe Bardhi janë të nevojshme për ju? A nuk do të ishte më e shëndetshme t’i thonit “qërohuni’?

Bogdani: Flavio, nuk bëhen fushatat me “qërohuni!”. E para e punës nuk po flasim për ato 2, 5 apo 10 vota, po flasim për ata demokratë që janë ende në terren dhe nuk janë 2, 5 apo 10. Por flasim në një qytett dhe në një shtet që i ke të gjitha pushtetet të kapura nga PS-ja. E mbani mend inçizimin e Erion Veliajt në zgjedhjet e Federatës Shqiptare të Futbollit?! “I vetmi ishull që na ka mbetur pa kapur, tha, është Federata e Futbollit. Na duhet dhe ky.” Pra, kanë të kapur çdo gjë. Kanë një makineri propagande që do të mbysë realitetin, megjithëse banorët e Tiranës e vuajnë çdo ditë realitetin e Tiranës, një qytet që është i pabanueshëm, i pa jetueshëm, stresues, por kanë një propagandë shumë të madhe elektorale përballë. Pra, ti nuk je  duke hyrë përballë një kundërshtari të lehtë, nuk je duke hyrë me një diferencë komode votash që “s’ka problem ato 2, 5 apo 10 vota” dhe s’të duhen.

Flavio: Pra, është pragmatizëm kjo që thoni ju.

Bogdani: Pa diskutim, se në fund të ditës zgjedhjet janë aritmetikë, janë plus dhe minus...

Ndiqni vazhdimin e intervistës me z. Gerti Bogdani në videon Kafe Shqeto në SYRI TV.