Situata kriminale në vend/ Rexhepi: Krimi ka gjetur mbështetje te politika

Gjatë një takimi me qytetarët në Ersekë, kryeministri Edi Rama foli për sigurinë e rendit në vend, duke theksuar se Shqipëria sot ka numrin më të ulët të vrasjeve në 32 vitet e fundit.

Artan Rexhepi ekspert i kriminalistikës, ishte i ftuar këtë mëngjes në 'Kafe Shqeto' në Syri Tv, ku foli më shumë në lidhje me situatën e agravuar të krimit në vend dhe mi këtë deklaratë të kryeministrit.

Rexhepi, ndër të tjera, u shpreh se nuk është aspak etike të flitet me statistika kur kemi të bëjmë me jetë njerëzish teksa theksoi se krimi ka gjetur mbështetje edhe tek politika.

"Vlerësimi im për kryeministrin ashtu si dhe për ministrin Çuçi që para disa kohësh dha një intervistë, ku krahasimet i bënt me vitin 2012.

Ngjan me krahasimet që bënte Enver Hoxha me kohën e Zogut, 37 vjet përpara, nuk më tingëllon fare mirë. Kur për hir të së vërtetës, të diskutosh me statistika për jetë njerëzish nuk më duket fare normale dhe as humane. Një mjek në kohën e Covid-it refuzonte të fliste me statistika dhe për hir të së vërtetës më la shije të mirë.

Krimi është bërë shumë gjak ftohtë dhe shumë i pasur, nësë nuk i realizojnë dot vetë vrasjet paguajnë vrasje me pagesë. Nëse marrim vrasjen e fundit te 'Kodra e Diellit', disa ditë ka pasur post-blloqe policie te 'Komuna e Parisit', dhe ndërkohë që gjatë kësaj kohe që ka shume post-blloqe në këtë zonë ndodh një vrasje te 'Kodra e Diellit' dhe madje autorët arrijnë të shkojnë me makinë deri në Qafë Kashar. Policia, për hir të së vërtetës po bën një tentativë për shtirje horizontale por duhet shtrirë në thellësi, duheti t'i hyjë bandave të qyteteve, dhe jo me raste sporadike. Mirë është ajo, por nuk është luftë në kuptimin e kriminalitetit.

Do ta quaja sukses të Policisë nëse do kapej qoftë dhe një person i vetëm nga grupi që ka denoncuar Dumanin ku nuk kanë arritur të kapin akoma asnjë.

Krimi pa mbështetjet politike nuk ndodh. Politika ka lidhje edhe me bandat, në Polici për sa kohë emërimet bëhen nga strukturat e shtetit do të jetë kjo situatë.

Situata kriminale ka degraduar shumë", u shpreh Rexhepi.